Një deklaratë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhënë për Partinë Demokratike të Kosovës, duke i quajtur hajna të klanit pronto, ka ngjallur reagime të ashpëra nga akterë politikë në vend.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, në një bisedë për Gazeta Blic, ka hedhur kritika të ashpëra për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.Thotë se ai person është i pabesë, dhe se PDK e ka mbajtur atë në pushtet, e jo anasjelltas.
Gjoshi e akuzon Haradinajn, se i prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.Ai përfundimisht e vulos faktin që Partia Demokratike e Kosovës, nuk do ia japë në asnjë mënyrë votat që Ramush Haradinaj të bëhet president i ardhshëm i vendit.“Një person i tillë i cili nga java në javë i ndryshon deklarimet, është vështirë edhe me komentu. Ai nga emisioni në emision i ndërron qëndrimet. Kur kemi ba koalicion me z.Haradinajn në vitin 2017, ne kemi qenë favorit me i fitu ato zgjedhjeve, kemi qenë në pozitë dhe e kemi vendosur si lider. Por, ai ka qenë lider i pabesë. Ne e kemi pasur të garantuar fitoren e zgjedhjeve. E kemi marrë në koalicion partinë e tij, e cila ka pasur vazhdimisht skandale. Ai na ka prishë me Amerikën dhe gjysmën e Europës. Ne kemi vazhdu me tentu brenda koalicionit me i zgjidhë problemet. AAK është parti që më së gjati e kemi mbajtë në pushtet”, ka thënë ndër të tjera Gjoshi për Gazeta Blic.
“Ne nuk kemi ngritur as mocion ndaj tij, por ka dhënë në dorëheqje vetë në momentin kur e ka parë që nuk mundet me i përmbush premtimet që ua ka dhënë të tjerëve”, ka thënë ai.Gjoshi thotë se PDK ka qenë e vetëdijshme se kë janë duke e bërë kryeministër, por shton se një gjë të tillë e kanë bërë për hir të Kosovës.“Ne kemi qenë të vetëdijshëm kë po e bëjmë kryeministër, por e kemi bërë për hir të Kosovës. Ne nuk kemi më mundësi që t’ia plotësojmë më apetitet politike. Deklaratat e tij, janë tani që e ka kuptuar që jo vetëm që nuk mund ti merr votat e PDK-së për t’u bërë president, por ai nuk mundet me marrë votë askund. Sepse i ka vetëm 10% të votave”, shtoi Gjoshi.I pyetur se a pret bashkëpunim mes AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në të ardhmen, sekretari i PDK-së, thotë se kjo gjë për ta nuk është aspak problem.Por, shton se AAK-ja e Ramush Haradinajt, nuk do e kalojë as pragun zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbahen ato.“Nuk na pengon ajo gjë. Ne jemi në opozitë. Kurdo që mbahen zgjedhjet, ne do të hyjmë për t’i fituar ato zgjedhje. PDK gjithmonë ka ditur që të ulet dhe të gjej zgjidhje për hir të interesit të shtetit. Haradinaj e ka quajtur dy vjet Albin Kurtin mashtrues, dy vjet tjera ka dalë në protesta me të. Ne e njohim të gjithë atë se si është ai. Por, AAK në zgjedhjet e ardhshme nuk do e kalojë as pragun zgjedhor”, ka përfunduar Gjoshi.