Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot ka prezantuar me emra dhe mbiemra të punësuarit partiakë të Vetëvendosjes në shkollat e komunës së Prishtinës.
Anëtarja e kryesisë së PDK-së në Prishtinë, Dhurata Hoxha, ka thënë se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, më shumë është një i qeverisur nga Kurti dhe Molliqaj, sesa që qeveris vetë Komunën e Prishtinës.
Hoxha ka thënë se për 4 vjet, Ahmeti nuk ia besoi asnjë prishtinasi udhëheqjen e arsimit në Prishtinë dhe shkollat e saj i mbushi përplot me militantë të Vetëvendosjes nga komunat e tjera të Kosovës.
“Qysh në muajt e parë, Shpend Ahmeti, me direktiva të Vetëvendosjes, i politizoi deri më themel shkollat me drejtorë e staf administrativ prej komunave të tjera, emra këta që i vinin atij prej Sekretariatit të Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.
Anëtarja e kryesisë së PDK-së në Prishtinë, Dhurata Hoxha, tregoi se Shpend Ahmeti ua kishte ndërprerë menjëherë kontratat e punës shumë drejtorëve, pa e vlerësuar fare performancën atyre.
“I largoi drejtorët e shkollave me kriter partiak dhe caktoi u.d. apo zgjodhi drejtorë të tjerë militantë të Vetëvendosjes, duke shpërfillur edhe vërejtjet ligjore të zyrtarëve të MASHT-it në komisionet për zgjedhje të drejtorëve”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka shtuar se partia Vetëvendosje, përveçse politizoi dhe rrezikoi nxënësit duke i nxjerrë nga mësimi në protestat e dhunshme, i keqpërdori edhe hapësirat shkollore, duke organizuar ligjërata politike për promovimin e politikave anarkiste dhe për përgatitjen e pankartave në objektet shkollore.
“Partia Vetëvendosje nuk e ndërtoi asnjë shkollë të vetme në Komunën e Prishtinës”, theksoi ajo.
Hoxha bashkë me zyrtarin tjetër të Degës së Prishtinës, Ilirik Musliun, kanë prezantuar edhe militantët e Vetëvendosjes nga komunat e tjera të rehatuar në shkollat e Prishtinës.
“Po ia nisim nga Arbërie Nagavci, e cila është nga Gjakovë. Eshtë ish-kandidate e partisë Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, kurse tash drejtoreshë e dorëhequr e arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pas saj vjen Hajzer Idrizi nga Klina, gjithashtu ish-kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Klinës, i cili pas disfatës zgjedhore, ishte sistemuar nga Vetëvendosje si drejtor i sektorit të mesëm të arsimit në Prishtinë. Kalojmë te Ilmi Reçica, tash drejtor i gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Ky fillimisht ishte caktuar u.d. i drejtorit dhe është anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes në Prishtinë. Pastaj edhe Fisnik Thaçi, drejtor i shkollës “Elena Gjika”, njëri që në forma të ndryshme i shërben Vetëvendosjes. Gjithashtu, Shpend Ahmeti, pa fije turpi, ka punësuar madje edhe të fejuarën e zëdhënësit të Prishtinës, Festa Shabanin, si mësuese të gjuhës angleze në shkollën “Hilmi Rakovica”. Ka punësuar edhe gruan e axhës së Glauk Konjufcës, Suzana Konjufcën, si arsimtare në shkollën “Hasan Prishtina”. Pastaj, ka punësuar edhe Xhevat Rafunën si drejtor në shkollën fillore “Afrim Gashi” në Hajvali. Për më tepër, e ka punësuar edhe Ardiana Makolli-Sadikun si drejtoreshë në shkollën fillore “Nazim Gafurri” nëPrishtinë, e cila është gruaja e militantit të Vetëvendosjes, Agron Sadiku. Edhe Nijazi Ukshinin, i cili është kryetar i një nëndege të Vetëvendosjes në Prishtinë. Pastaj edhe Naim Redenicën si punëtor teknik në “Gjergj Fishta”, si dhe Faik Rrustemin si punëtor teknik në shkollën “Shkëndija” në Hajvali”, është shprehur Dhurata Hoxha.
Ndërsa, Ilirik Musliu, i cili përmendi emrat edhe të rreth 30 militantëve të Vetëvendosjes dhe familjarëve të tyre nga komunat e tjera të punësuar në shkollat e Prishtinës, tha se numri i tyre është shumë më i madh, porse po e publikojnë vetëm listën që kanë arritur ta konfirmojnë.
Musliu ka thënë se nuk kanë qasje lokaliste, por Komuna e Prishtinës ka kuadro të mjaftueshme të gatshme për t’i kontribuar arsimit në Prishtinë, mirëpo për shkak se qeverisja e Vetëvendosjes i ka ngufatur shkollat e Prishtinës me militantë të vet, kuadrot prishtinase vazhdojnë të jenë të papunë dhe të pashpresë se ndonjëherë do u vije radha ta përmbushin veten profesionalisht.