PDK-ja publikon video ku shihen persona duke bartur kuti votimi në Prizren

Prishtinë | 30 Nën 2017 | 11:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirru një konferencë me gazetarë, me ç’rast ka publikuar disa video-xhirime, ku shihen disa lëvizje të dyshimta të transportimit të votave nëpër qendra të votimit në Prizren.

Zyrtarë të PDK-së thanë se krahas bartjes së votave në mënyrë të dyshimtë, në Prizren ka pasur edhe presion, vjedhje votash me trenin bullgar, e po ashtu me gabime në procese të numërimit.

Blerand Stavilecit nga PDK-ja tha se ka dyshime të bazuara se këto pamje tregojnë që Vetëvendosje ka manipuluar në zgjedhjet lokale në Prizren. Andaj, kjo parti kërkon rivotim, ose së paku rinumërim, në Prizren

Duke thënë se kërkesa për rinumërim ishte legjitime, Stavileci ka thënë se do të tregojnë të gjitha detajet e, siç ai e ka quajtur, manipulimit në Prizren.

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të ushtrojnë ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të sfiduar rezultatin e votimit për kryetar të Prizrenit në balotazh, pasi besojnë se ka shkelje të rënda të procesit zgjedhor.

Ai ka deklaruar se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për t’i denoncuar këto veprime abuzive, duke theksuar se nëse nuk rinumërohen votat për kryetar të kësaj komune krejt procesi mbetet i kontestuar dhe i kontestueshëm.

“Ne kemi prezantuar shumë fakte dhe prova me të cilat dëshmohet se është deformuar vullneti i qytetarëve në Prizren. Do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore, për t’i denoncuar ato përsëri, siç do ta bëjmë edhe sot para PZAP-së, për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Ka plot dëshmi për veprimet abuzive të Vetëvendosjes, bërthamë e idesë politike të të cilëve është shantazhi, sulmi ndaj zyrtarëve të shtetit”.

“Qëndrimi i këtij subjekti politik, kategorikisht kundër rinumërimit, na bind se i frikësohet rinumërimit sepse e di se çfarë ka bërë. Ne asnjëherë nuk ia kemi pasur frikën asnjë segmenti që lidhet me votimin. Në këtë mënyrë gjithçka mbetet e kontestuar dhe e kontestueshme. Është në të mirë e të gjithë atyre që duan ta ruajnë vullnetin e qytetarëve që të pranohet rinumërimi”.

Ndërsa, Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur trenin bullgar për të deformuar vullnetin qytetar, duke nënvizuar se nëse PZAP-i vlerëson drejt faktet që kanë grumbulluar komuna e Prizrenit duhet të shkojë në rivotim.

“Në Prizren ka pasur manipulim të procesit zgjedhor. Është vërtetuar gjatë numërimit të votave me kusht në QNR, ku kanë munguar tri fletëvotime. Do të thotë që këto janë përdorur për fenomenin e trenit bullgar, për të ndryshuar vullnetin e qytetarit. Ka dëshmi të shumta që në Prizren ka pasur devijim të vullnetit qytetar. Persona të ndryshëm, që nuk kanë pasur të drejtë kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor. Kemi plot fakte për këtë gjëra, të cilat do t’ia dorëzojmë PZAP-it”.

“Ne i bëjmë thirrje PZAP-it që në mënyrë të drejtë të administrojë krejt materialin që kemi dorëzuar. Mendojmë që e vetmja zgjidhje është të çohet vullneti i qytetarëve në vend, rrjedhimisht rivotimi në Prizren. Ne nuk i frikësohemi asnjëherë procesit zgjedhor”.

Të ngjashme