Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, ka akuzuar organet komunale për siç thonë ata që këto të fundit nuk po i plotësojnë kushtet elementare për qytetarët siç është uji.
Në një komunikatë dërguar medieve thuhet se Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë e ka përcjellur në vazhdimësi me shqetësim të madh, qoftë nëpërmjet këshilltarëve të saj komunal, qoftë në forma tjera, çështjen e mungesës së ujit të pijshëm, në regjionin e Llapit e posaçërisht në Orllan nga vendi ku me ujë furnizohet gjysma e Kosovës.
Mungesa e ujit të pijshëm në Orllan edhe 17 vjet pas luftës është e pajustifikueshme në të gjitha rrethanat. Organet komunale, siç kanë neglizhuar edhe shumë çështje të tjera, dhe në këtë formë përveç që e kanë katandisur çdo cep të komunës së Podujevës, ata vazhdojnë të mos i plotësojnë edhe kushtet elementar për jetë, siç është uji.
Sipas PDK-së, po ashtu këta banorë përballen edhe me probleme tjera, siç është infrastruktura e keqe, gjë që e vështirëson edhe më tepër jetën në këtë pjesë dhe si pasojë dita ditës këto fshatra po braktisen.
Prandaj Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë e përkrahë protestën paqësore të banorëve të Orllanit dhe i bënë thirrje organeve komunale që të jenë të përgjegjshëm në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve të komunës sonë, sepse damkosja në llumin e ndërgjegjes qytetare do t’ju vij në zgjedhjet lokale.