Dega e PDK-së në Fushë Kosovë, përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se nuk u është miratuar kërkesa për ndërrimin e emrit të rrugës “Dardania” në “Adem Demaçi”.
Sipas tyre, mospërkrahja nga asamblistët e LDK-së tregon se ata nuk i njohin dhe nuk duan t’i promovojnë vlerat dhe historinë kombëtare.
Komunikata e plotë:
“Dega e PDK-së në Fushë Kosovë më 11 shtator 2018 ka marrë vendim që t’i propozojë Komunës për ndërrimin e emërtimit të rrugës “Dardania” në emrin e atdhetarit dhe kontribuuesit të jashtëzakonshëm të Çështjes Kombëtare ADEM DEMAÇI.
Grupi parlamentari i PDK-së i Komunës së Fushë Kosovës, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, të mbajtur më 26.09.2018, ka prezantuar dhe arsyetuar kërkesën para asamblistëve.
Për çudi, por jo befasi kërkesa nuk është përkrahur nga asamblistët e LDK-së dhe kryetari i saj, që as nuk dinë dhe as nuk duan të njohin dhe promovojnë vlerat dhe historinë tonë kombëtare.
Dega e PDK-së në Fushë Kosovë i bën thirrje pushtetit komunal, që të paktën kësaj here të bëjë diçka për njerëzit që dhanë dhe kontribuuan për Çështjen Kombëtare. Që mos të lanë qytetin e Fushë Kosovës dhe qytetarët e saj pa heronjtë tanë Kombëtare. Komuna e Fushë Kosovës është e vetmja e cila ka mbetur mbrapa krahas komunave tjera me rrugë dhe sheshe pa emra të veprimtarëve që u flijuan për lirinë tonë.
PDK do ta ngritë zërin çdoherë për çështje me interes kulturor e historik, që qytetarët e Fushë Kosovës t’i bëjë të ndjehen krenar me emrin e kësaj rruge në emrin e të madhit Adem Demaçi, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi atdheut dhe mori çmimin Saharov. Ai u mbajt i burgosur për 28 vite nga regjimi pushtues serb, por vepra e tij u bë frymëzim i qindra e mijëra atdhetarëve dhe veprimtarëve që e pasuan rrugën e drejtë të lirisë dhe çlirimit të Kosovës”.