Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj gjuhës fyese të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i quajti liderët e shtetit “derra”.
Në reagimin e PDK-së thuhet, se në konferencën e sotme për media kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, me gjuhë të ulët të padëgjuar deri më sot në skenën politike të vendit, ka fyer tre drejtuesit më të lartë të shtetit.
“Gjuha e tillë e turpshme e Ymerit, shkon përtej fjalorit politik, vlerave demokratike dhe kodit elementar etik, duke fyer rëndë bartësit e përgjegjësive shtetërore e institucionale, të dala nga vota e lirë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se gjuha e tillë e Visar Ymerit, dëshmon qartë për humbjen e arsyes dhe argumenteve opozitare, përkitazi me çështjet madhore dhe sfidat që po kalon vendi.