Peleshi thotë se duhet të përgatitemi për më të keqen në Ballkan

Prishtinë | 20 Dhj 2023 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka deklaruar se situata në Ballkanin Perëndimor është e brishtë dhe vigjilenca në Shqipëri duhet të jetë maksimale, duke u përgatitur edhe për më të keqen e mundshme, pavarësisht mbrojtjes që ofron aleanca e NATO-s.

Këtë deklaratë, Peleshi e bëri gjatë një aktiviteti për rekrutimin e të rinjve në Forcat e Armatosura, i zhvilluar në Shkodër.

“Jemi të mbrojtur në tokë det, hapësirë. Mbrojtja është bërë prioritet për shkak të konflikteve në gjithë botën dhe për faktin se jemi në mes të një rajoni të brishtë”, theksoi fillimisht ministri.

Më tej, ai tha se është Shqipëria ka fatin të jetë anëtare e NATO-s, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, për shkak të konflikteve të rajonit të brishtë, të lidhur me situatën e përgjithshme në botë, duhet pasur kujdes i veçantë.

“Ndaj duhet të jemi me vigjilent dhe të përgatitemi për me të keqen dhe shpresojmë për më të mirën. Dy janë pikat me të nxehta të rajonit, veriu i Kosovës dhe Bosnjë Hercegovina për shkak të Republika Srbska”, vijoi ai.

Peleshi po ashtu përmendi edhe rastin e efektivit të vrarë në veri të Kosovës, Afrim Bunjaku, ku u pa shumë qartë se kush është viktima dhe kush është agresori, në konfliktin mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Shqipëria është shumë e sigurte sepse është anëtare e NATO dhe artikulli 5 i NATO thotë që një centimetër i prekur i vendeve të NATO është i barasvlershëm si në Shqipëri ashtu dhe në SHBA apo në vendet me të fuqishme”, përshkroi.

Shqipëria gjithsesi është e paprekshme sipas tij, sepse aleanca e NATO-s është forca më e madhe ushtarake dhe politike në botë, e si e tillë, ofron mbrojtje për vendet anëtare.

Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet pasur më kujdes, duke humbur vigjilencën.

Teksa, si garanci të vetme për sigurinë e rajonit, Peleshi sheh vetëm integrimin e plot të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si formulë e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Të ngjashme