Pensionet e reduktuara, kategoritë që përfitojnë

Prishtinë | 07 Gus 2017 | 08:24 | Nga

Të gjithë personat të cilët kanë dëmtime në trup, mund të marrin pension invaliditeti, ose pension të reduktuar invaliditeti. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka sqaruar të gjithë procedurën si përfitohet ky pension, dokumentet që duhet të dorëzohen dhe si përcaktohet masa e përfitimit. “Personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti”, thotë ISSH. Në varësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it. Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë. Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

Kushtet e përfitimit

Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.

Dokumentacioni

Për të përfituar pension të plotë të invaliditetit përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Përfituesi për pension të plotë të invaliditetit ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet e mëposhtme: a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin: Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi. Certifikatë e gjendjes familjare. Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra). Dy copë fotografi. b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë: Libreza e punës. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj. Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM.

Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme). Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992. Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj). Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët. Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna). Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë. Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës. Këto dokumente, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë. Fletë- drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, spital, shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP. Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore. Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme.

Masa e përfitimit

Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. E ardhura shtesë për kujdesje sipas Nenit 38, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar: Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshëm nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 % të bazës së vlerësueshme. E ardhura shtesë për fëmijët në ngarkim: Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit bazë, por jo më shumë së 30% e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme