Divizioni i Lojërave të Fatit në Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK) gjatë javës së kaluar ka zhvilluar edhe një aksion në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt më qëllim të identifikimit të subjekteve të lojërave të fatit, të cilat jashtëligjshëm ushtrojnë këtë veprimtari, transmeton Ekonomia Online.
Në një komunikatë për medie, ATK njofton se gjatë aksionit në fjalë, inspektorët kanë vizituar 13 biznese të lojërave të fatit, tek të cilat janë konstatuar parregullsi të ndryshme, për sa i përket ushtrimit të kësaj veprimtarie. Gjithsej 5 subjekte janë mbyllur, pasi që të njëjtat kanë vepruar pa licencë të ATK-së. Po ashtu janë lëshuar gjoba në vlerë 89,000 euro.
Vetëm gjatë muajit Janar dhe Shkurt të këtij viti ATK ka mbyllur 40 subjekte të lojërave të fatit, të cilat njëkohësisht janë ndëshkuar me gjoba në vlerë 213,000 euro.
“Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdojë me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji Nr.04/L-080.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë përmes linjës pa pagës 0800 80 800, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme”, thuhet në komunikatë.