Për herë të parë në ceremoni, Hovenier me mesazhe të forta kundër mohuesve të Masakrës së Reçakut

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Qe 23 vjet, ngjarjet e 15, 16 janarit të vitit 1999 në Reçak, komentohen në mënyra të ndryshme në dy shtetet ballkanike Kosovë dhe Serbi.  Për Kosovën, por  dhe për  shumë shtete perëndimore, vrasja e 45 civilëve është ngjarje brutale dhe krim kundër njerëzimit, ndërsa për Serbinë një “inskenim” që ka shërbyer të nxitur bombardimet  e NATO’s.

Përpjeka për rishkrim të historisë nga Beogradi ka vazhduar edhe sivjet. Por, në ceremoninë përkujtimore në Reçak, të shtunën, për herë të parë u shfaq edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që sapo ka nisur punën në Kosovë. Ai ka rikujtuar telefonatën që ia kishte bërë Walker para 23 vjetësh, ndërkohë që është shprehur qartë për atë që ka ndodhur në Reçak, duke i cituar fjalët e ish Presidentit Clinton: “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.

Kur William Walker ishte ngjitur tek Kodra e Bebushit në fshatin Reçak të Shtimes për atë parë atë që forcat serbe kishin bërë më 15 e 16 janar, nuk e kishte pasur asnjë dilemë. Diplomati amerikan, pasi i kishte parë trupat e pajetë të 45 civilëve shqiptarë përfshirë edhe atë të një 12 vjeçari në skenën e llahtarshme të krimit, vrasjet i kishte përshkruar si një krim të tmerrshëm kundër njerëzimit.

Atë kohë Walker, udhëhiqte Misionin Verifikues të Kosovës (KVM), të cilin e kishte dërguar OSBE për të vëzhguar gjendjen në terren.

Kualifikimet që atë ditë i kishte bërë Walker ishin mohuar menjëherë nga Beogradi. Republika Federale e Jugosllavisë e kishte akuzuar atë për tejkalim të mandatit dhe se ishte duke kryer një fushatë propagandistike kundër Serbisë. Po ashtu, më 18 janar Walker ishte shpallur persona non grata, me urdhër që ta lëshojë menjëherë territorin e Jugosllavisë.

Beogradi e kishte refuzuar ardhjen në vend të ngjarjes edhe të kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Lousie Arbour, që po planifikonte të hetonte këto vrasje. Në vend të kësaj qeveria jugosllave kishte autorizuar një ekip jugosllavo -bellorus, të cilët kishin konstatuar se të vrarët përfshirë një grua dhe 12 vjeçari “ishin pjesëtarë të UÇK’së dhe terroristë dhe jo civilë”, ndërkohë ekipi i BE’së në krye me finlandezen Helena Ranta kishte bërë gjetje tjera. Ata kishin raportuar se të vrarët ishin civilë të paarmatosur.

Masakra që pati jehonë në gjithë botën ishte dënuar edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Këshilli i Sigurimit dënon fuqishëm masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak të Kosovës jugore” thuhej ndër të tjera.

Këshilli, po ashtu i kishte bërë thirrje RFJ’së që në mënyrë urgjente të punojë me Tribunalin Ndërkombëtar për Krime lufte në Ish -Jugosllavi për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këto vrasje.

Zyrtarë të lartë të Beogradit si Nikola Sainovic, që më vonë kishin përfunduar në Tribunalin e Hagës, kishin bërë përpjekje për ta inskenuar masakrën si një luftë ndërmjet forcave shtetërore dhe “terroristëve”.

Serbia në ndërkohë me Presidentin Vuçiq me eksponentët dhe vartësit e tij siç janë Milorad Dodik dhe Aleksander Vulin ka nisur një fushatë për të mohuar krimet, masakrat dhe gjenocidin në ish -Jugosllavi. Përveç krimeve dhe masakrave në Kosovë mohohen vazhdimisht edhe krimet dhe gjenocidi në Srebrenicë.

Kjo frymë është bartur edhe tek serbët pjesëmarrës në institucionet e Kosovës .Kështu Ivan Todosijevic, një ish Ministër në Qeverinë e Kosovës nga Lista Srpska kishte thënë se Masakra e Reçakut  “ishte trilluar nga terroristët shqiptarë ”. Ai, për këtë ishte shkarkuar nga Kryeministri Haradinaj, ndërkohë që Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka shqiptuar dy vjet burg për mohimin e krimit.

Në Beograd nuk është ndaluar kjo praktikë. Ministri Vulin që njihet për gjuhën e tij raciste ndaj shqiptarëve përsëriti edhe në këtë 23 vjetor se Reçaku ishte “gënjeshtër” dhe justifikim për bombardimet e NATO-s.

“Reçaku është një gënjeshtër dhe ka shërbyer si justifikim për fillimin e agresionit të NATO-s në Jugosllavi. Reçaku është një gënjeshtër që shërbeu për të vrarë mbi 100 fëmijë tanë. Kjo gënjeshtër duhet të ekspozohet”, tha Vulin në përvjetorin e 23-të të Masakrës së Reçakut e cila u krye nga forcat ushtarake dhe policore të shtetit të Serbisë.

Viteve të fundit, duke e parë këtë fushatë të Beogradit, ambasada  e SHBA, ajo e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë e të tjera, kanë reguar me deklarata.

Por, të shtunën, në Shtime, Ambasadori Jeff Hovenier ka shkuar personalisht në Shtime ku ka folur për masakrën dhe “për të përkujtuar dhe vajtuar ata njerëz, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht atë ditë”

“Askush të mos harrojë ose mohojë se çka ndodhi këtu ose përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës” ka potencuar Hovenier.

Diplomati amerikan ka treguar se si e kishte kuptuar atë se çfarë kishte ndodhur me civilët shqiptarë.

“E mbaj mend atë ditë mirë. Si zyrtar në misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën, mora një thirrje nga ambasadori William Walker, shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Kosovës, i cili sapo ishte larguar nga skena e tmerrit, tashmë i përqendruar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur”.

Hovenier ka thënë se “jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të kësaj masakre dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive”

Por, ai duke cituar fjalët e ish -Presidentit amerikan Bill Clinton, ka bërë të qartë qëndrimin amerikan rreth asaj çfarë kishte ndodhur

“Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti Klinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani: „Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës” ka thënë ai.

Njeriu më meritor që kjo masakër iu bë e ditur botës, ambasadori William Walker që këtë vit s’ka udhëtuar në Kosovë ka folur nëpërmjet një video adresimi që ia ka dërguar qeverisë së Kosovës.

“Në të kaluarën ajo që për kujtohet më 15 janar, pothuajse shmangej nga të tjerët, komuniteti ndërkombëtarë, për shembull, disa nga ambasadat që as nuk shprehnin interesim të merrnin pjesë dhe të shihnin se çfarë po ndodhte. Por kjo ka ndryshuar më në fund”, ka thënë Walker.

Të ngjashme