Për Putinin, takimi me Trumpin është fitore

Prishtinë | 12 Kor 2018 | 08:15 | Nga

Për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, samiti me homologun rus, Vladimir Putin, rrezikon reagime të ashpra politike, por, për Putinin, fakti se samiti po ndodh është tashmë një fitore e madhe gjeopolitike.

Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara të Rusisë me SHBA-në dhe aleatët e saj, Kremlini, për kohë të gjatë, ka bërë përpjekje të aranzhojë takimin, duke vënë bast se Putin dhe Trump do të shkojnë shumë mirë së bashku.

Edhe pse askush nuk pret përparim të madh, samiti në Moskë shihet si njohje e statusit të Rusisë si fuqi e madhe dhe vetëdijesim i SHBA-së se interesat rusë duhet të merren parasysh.

“Fakti se takimi Putin-Trump do të ndodhë, tregon vetëm një gjë: pavarësisht gjithë histerisë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të izolojnë ose injorojnë Rusinë”, tha Alexei Pushkov, deputet rus nga partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, transmeton Reuters.

“I është dashur kohë e gjatë Uashingtonit ta kuptojë këtë, por më në fund e kuptoi”, tha ai.

Zemërimi i Perëndimit për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, si dhe për ndërhyrjen e Moskës në luftërat në lindje të Ukrainës dhe në Siri, nuk është zbehur.

Akuzat e tjera, që hidhen poshtë nga Moska, përfshijnë ndërhyrjen e saj në zgjedhjet në SHBA dhe në politikat në Evropë, furnizimin me armë për rrëzimin e një aeroplani të pasagjerëve në vitin 2014 në Ukrainë, si dhe përpjekjet e saj për të vrarë një ish-spiun rus në Britani me agjent nervor.

Kritikët e Kremlinit, si në Rusi, ashtu edhe jashtë saj, e shohin vendimin e Trumpit për t’u takuar me Putinin si dhënie e legjitimitetit ndërkombëtar Putinit, një gjë që, sipas tyre, ai nuk e meriton, pasi politika ruse në arenën ndërkombëtare nuk ka ndryshuar.

Por, në Rusi, ku sistemi politik është i fiksuar me hierarkinë dhe shfaqjen e forcës, Putini “tashmë ka fituar”, tha Andrey Kortunov, analist me seli në Moskë, raporton Reuters.

“Samiti i mundëson Putinit të thotë se Rusia nuk është e izoluar, se Rusia është fuqi e madhe dhe se, në njëfarë mase, mund të ketë status të barabartë me Shtetet e Bashkuara, së paku në fushën e sigurisë”, tha Kortunov.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme