Përfundon aksioni “Brezovica”, arrestohen një doganier dhe kryesuesi i bordit “Ski Center Brezovica”

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në vazhdimin e aksionit “Brezovica” janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Të arrestuarit janë një doganier dhe kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, theksohet në njoftim.

Më 3 mars janë prangosur edhe shtatë persona të dyshuar për këtë rast, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Ndërkaq, në aksionin e parë të njohur si “Brezovica”, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin arrestuar 10 persona në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Të ngjashme