Ka përfunduar takimi i grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së.
Përmes një deklaratë të përbashkët nga takimi i grupeve punuese LDK – LVV, u bë e ditur se dy grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes.
“Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re.
Gjithashtu bëhet e ditur se palët janë dakorduar për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme.
Takimi mes dy grupeve punuese ka filluar në ora 13:00.