Përgjysmohen investimet e huaja

Prishtinë | 26 Dhj 2016 | 10:16 | Nga

Gjatë vitit 2016, sektori i jashtëm i Kosovës u karakterizua me rënie të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe rënie të remitencave të pranuara në vend.

Siç njofton Banka Qendrore e Kosovës (BQK) pas tre vitesh rritjeje të vazhdueshme, remitencat e pranuara në vend u karakterizuan me një rënie vjetore prej 2.7 për qind dhe shënuan vlerën prej 329.8 milionë euro në qershor të 2016-ës.

Po ashtu, në të njëjtën periudhë, vlera e IHD-ve të pranuara në Kosovë rezulton të jetë përgjysmuar në 84.8 milionë euro, nga 161.7 milionë euro sa ishte në qershor të vitit 2015, raporton Ekonomia Online.

“Vlera e IHD-ve të pranuara në Kosovë deri në qershor 2016 rezulton të jetë përgjysmuar në 84.8 milionë euro, nga 161.7 milionë euro sa ishte në qershor të vitit paraprak. Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione si dhe investimet në instrumentet e borxhit. Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 74.1 për qind të gjithsej IHD-ve, shënoi vlerën 62.8 milionë euro që është për 45.6 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së.

Gjithashtu, IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 22.0 milionë euro, që janë për 52.5 për qind më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (figura 21).

“Zvogëlim i IHD-ve në Kosovë u evidentua sidomos në sektorin e patundshmërive, në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve financiare. Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të IHD-ve ishin sektori i shërbimeve tregtare dhe sektori i bujqësisë”, njofton BQK-ja.

Sa i përket origjinës së IHD-ve, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti investimet e huaja direkte deri në qershor të vitit 2016 (26.0 milionë euro), pasuar nga Turqia me 17.8 milionë euro, Shqipëria me 17.4 milionë euro, Austria me 11.3 milionë euro, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme