Pronari i një restoranti në ‘Porto Palermo” të Himarës, i cili një ditë më parë sulmoi dhe kanosi një grup turistësh spanjollë që nuk preferuan të drekojnë në lokalin e tij, u vu në pranga nga policia e Sarandës.
Në bisedën me vetë turistët, ministri i Turizmit, Blendi Klosi kërkoi ndjesë për incidentin.
Megjithatë, edhe pse situata e kaluar një ditë më parë ishte e sikletshme familja spanjolle, vlerësoi gatishmërinë e policisë për ndërhyrjen dhe siguruan se do të kthehen sërish në Shqipëri për ta njohur atë më mirë.
“Ne do të kthehemi përsëri për ta njohur më mirë vendin. Njohim shumë njerëz të mirë këtu mes tyre edhe shoferi dhe guida tonë që bënë çmos për të na shpëtuar. Faleminderit guidës, faleminderit qeverisë që u kujdes për ne”, ka thënë turisti spanjoll.
Veç turistëve 51 vjeçari ka dëmtuar edhe furgonin e guidës. Mbi të tashmë rëndojnë akuzat e kanosjes dhe shkatërrimit të pronës.