Përkrahet Parada LGBT: Duhet të garantojmë se Kushtetuta është e barabartë për të gjithë

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 12:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha; përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova; kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti; disa deputetë dhe personalitete të tjera nga shoqëria civile, i janë bashkuar sot marshit në qendër të Prishtinës, të organizuar nga komuniteti LGBT (homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë).

Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian, tha për Ekonomia Online se secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë që t’i gëzojë të drejtat e tij.

“Gjithashtu edhe këtë vit, jo vetëm për moton që e ka kjo paradë këtë vit, pra në emër të lirisë, por ne duhet të përçojmë mesazhin se secili qytetar në Republikën e Kosovës duhet të ndihet i lirë që të shprehë, të gëzojë të drejtat e tyre, por gjithashtu duhet të garantojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e barabartë për të gjithë. Por gjithashtu do të bashkëpunojmë që të mos jetë kjo një temë tabu, mos të bëhen një grup i margjinalizuar”.

Ahmeti në paradën e komunitetit LGBTI: Do të luftoj gjithmonë për çdo grup të shtypur në Kosovë

Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës, për Ekonomia Online tha se parada e mbajtur për komunitetin LGBTI është mesazh i lirisë.

Sipas tij, komuniteti LGBTI në Kosovë i ka të drejtat e shtypura.

“Është mesazh i të drejtave të njeriut, është mesazh i lirisë. E kuptoj që shoqëria jonë është konservatore dhe dikush mendon që nuk duhet të jetë kështu, por përderisa kemi grupe dhe njerëz që jetojnë në liri dhe janë të kërcënuar për sigurinë fizike për shkak të përkatësisë që kanë, në këtë rast për shkak të orientimit seksual, nuk do të jemi shoqëri e lirë dhe demokratike. Prandaj do të luftoj përgjithmonë për çdo grup të shtypur në Kosovë, në këtë rast për këtë grup sepse mendoj se i kanë të drejtat e shtypura”.

O’Connell: Kosova ka treguar se është e gatshme për të drejtat e njeriut

Ruari O’Connell, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, pjesëmarrës në paradë, tha se ngjarje të tilla tregojnë se ka shpresa që gjeneratat e reja kanë frymë demokratike për të drejtat e njeriut.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit kanë dalë për të festuar lirinë, dashurinë. Këto janë dy vlera që ne i kemi të përbashkëta. Dashuria është gjëja më e mirë në botë. Kosova ka treguar se është e gatshme. E gatshme për të drejtat e njeriut. E drejta e njeriut është e shenjtë”.

“Sot, dhe ngjarjet e tilla na tregojnë qartë që ne mund të kemi shpresë për gjeneratën e re që ka frymë demokratike për të drejtat e njeriut, dhe kanë dalë një numër dërrmues për ta festuar dashurinë”.

Krasniqi: Të gjitha komunitetet kanë të drejtë të dalin haptazi në publik

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, tha për EO se ka dalë në marsh për t’u solidarizuar me komunitetin LGBTI sepse, sipas tij, të gjitha komunitetet kanë të drejtë të dalin haptazi në publik.

“Unë personalisht por edhe subjektit që i takoj, besojmë në një shoqëri të barabartë e cila nuk e diskriminon askënd. Sot solidarizohemi me komunitetitn LGBT, nesër do të solidarizohemi me të gjitha grupet që janë të shtypura dhe të diskriminuara në Republikën e Kosovës”.

“Nëse komunitetet tjera kanë të drejtë me dalë haptaz në publik për çështjet që i shqetësojnë ata, atëherë edhe komuniteti LGBT duhet me pasë të drejtë me dalë në publik. Nuk mendoj që shoqnia jonë duhet me u shqetësu për paraqitjet publike të preferencave të njerëzve. Nëse nuk është problem me dalë publik njerëzit me i qitë besimet e tyne të llojeve të tjera, atëherë pse duhet të jetë problem komunitetit LGBT”.

Sedaj: Paradat janë të tepruara dhe të pakuptimta për mentalitetin tonë

Franklin Sedaj, avokat, për Ekonomia Online u shpreh kundër mbajtjes së paradave të tilla.

Sipas tij, parada të tilla në Kosovë mund të dërgojnë deri te ndonjë incident të padëshirueshëm.

“Sa i përket Paradës së gejëve, për popullin tonë nuk janë shumë të përshtatshme për shkak se niveli i moralit te populli shqiptar është shumë i lartë. Unë kam jetu edhe në perëndim, por për mua është krejt normale kjo. Kom pa në Gjermani e gjetiu, por për njerëzit që jetojnë në Kosovë nuk ka pasur rast dhe mundet me ardhë eventualisht deri te një incident i padëshirueshëm, për shkak se populli beson që është gjë e pamoralshme. Zoti e ka kriju mashkullin edhe femrën edhe ajo është natyrale, edhe seksi edhe bashkëjetesa. Çdo gjë që e kalon këtë është një lloj sëmundje, për mendimin tim dhe është rast për medicinë dhe jo për rrugë.

“Megjithatë është e drejtë e çdokujt të marrë pjesë në aktivitet të qetë, pa incidente, pa trazira, pa fërkime. Mendoj që numri duhet të zvogëlohet në minimum ose të mos mbahen fare se me të vërtetë janë të tepruara dhe për mentalitetin tonë janë të pakuptimta, kisha me thënë edhe jomorale”.

Të ngjashme