Përkujtohen 183 dëshmorët e Pejës, Serbia të mos i mohojë krimet

Pejë | 05 Maj 2019 | 15:02 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë marrë pjesë në tubimin përkujtimor për 183 dëshmorët e komunës së Pejës, raporton Ekonomia Online.

Ata fillimisht kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e dëshmorëve të Pejës, e më pas tek shtatorja e dëshmorit Shkëlzen Haradinaj.

Në fjalimin e tij, presidenti Hashim Thaçi tha se edhe pas 20 vjetësh UÇK-ja mbetet vlera më e çmuar dhe sublime e cila dita-ditës po e fuqizon shtetin e Kosovës.

“Edhe pse kanë kaluar 20 vite shihet se vlera u UCK-së është vlerë e paprekshme që bashkon qytetarët . është vlera më sublime dhe e shenjtë e shtetit tonë vlerë që e fuqizon vlerën e shtetit tonë. Jam i bindur se Askush s’është i përkryer, por jemi duke bërë punën më të mirë re mundshme por një gjë e di do të këtë vetëm ditë më të mira”, ka thënë ai.

Ai edhe njëherë ka përmendur krimet e përgjithshme që i ka bërë Serbia në Kosovë, duke i përmendur masakrat dhe dhunimet, si dhe vrasjet e civilëve.

“Gjithmonë duhet të kujtojmë më krenari luftën që e kemi zhvillu por kujtojmë sot edhe gjenocidin që i u bënë shtetit 13 e 500 civilë të vrarë rreth 20 mijë dhunime e që drejtësia ndërkombëtare se ka thënë fjalën e vetë e që ndoshta kemi të bëjmë me zero drejtësi”, tha ai.

Foli edhe për nismën në Kongresit Amerikan për kërkimin e drejtësisë, e cila sipas tij edhe pse e vonuar është e mirëseardhur.

“Z.Engel është një angazhim i drejtë për drejtësinë. Fjalët e tij ishin stimulim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi dhe kam besim që parlamenti do ta nxjerrë rezolutën për krimet e luftës”, tha tutje Presidenti.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën e Dëshmorëve ka folur për vitin 1999 atëherë kur Peja ishte e shkatërruar nga forcat serbe.

Tha se falë gjakut të dëshmorëve, martirëve dhe të dhunuarve sot gëzojmë lirinë.

“Kjo liri e tillë ishte me dhimbje dhe vuajtje për fat të keq s’ishim aq vigjilent dhe të kujdesshëm që të mos të lejojmë vrasje dhe të tjera, edhe pas luftës kemi humbë shumë bashkëluftëtarë që është e papranueshme por besoj që jemi mbush mend. Historia na ka mësua që kur jemi të vendosur dhe kemi qëllim të drejtë na ndihmon dhe zoti na ndihmoi edhe Amerika në kohën me të vështirë”, tha ai.

Ai tha se do të vazhdojnë të fuqizojnë shtetësinë e Kosovës, duke përdorur të gjitha mekanizmat shtetëror.

Kritikoi ashpër zyrtarët serbë të cilët sipas tij po i mohojnë krimet e bëra në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje të gjithë botës që të mos lejojnë politikanët serbë të mohojnë gjenocidin në Kosovë.

“Mohimi i krimeve duhet me qenë alarm edhe për Evropën edhe për Amerikën. Nuk guxon bota e qytetëruar me ia lejua tash udhëheqjes së Serbisë me i mohua ato krime. I bëjë thirrje të gjitha kryeqyteteve dhe Washingtonit zyrtar që na kurrë s’kemi me e lejua këtë, na kemi çdo herë me vertetua këtë se në Kosovë ka ndodh spastrim etnik”, ka thënë, kryeministri Haradinaj.

Kujtojmë se në këtë tubim të pranishëm ishin edhe shumë deputetë dhe kryetarë komunash.

Të ngjashme