Përmbyllet dëshmia e parë në rastin e Pjetër Shalës në Speciale

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 12:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është përmbyllur dëshmia e dëshmitarit të parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ku akuzohet Pjetër Shala për krime lufte në Kukës, ndërmjet datave 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999.

Dëshmia e parë në këtë rast u përmbyll pasi dëshmitari iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarit dhe të trupit gjykues.

Në pyetjet e gjyqtarit rezervë Vladimir Mikula, dëshmitari u përgjigj se babai i tij e ka humbur shikimin tetë vjet pas torturave ku, sipas tij, ishte i përfshirë i akuzuari Shala.

“Me sa unë e mbaj në mend, diku 2008-ën veç ka filluar me humb shikimin, ka dokumentacionin ku është operuar, por pa sukses, i ka tetë vite prej kohës kur është mbajtur në kamp e përqendrimit, në burg sepse nuk është punë kamp, kështu që të gjitha i kanë ardhur nga aty, nga torturat çnjerëzorë deri në alivanosje ku babai tregonte që kur kanë ardhur njerëzit e tjerë u kanë thënë merre rrehe ti, tortura të ndryshme nga këta tre persona, me persona të tjerë që ka pasur, emrat nuk ka mundur t’i identifikoj. Mirëpo i dyshuari duhet të tregojë për të gjitha, çka është bërë aty, se ka qenë aty prezent, ka ushtruar dhunë, me gjithë personat e tjerë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmisë së tij në ditën e parë, ai ka thënë se pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe Pjetër Shalën kanë qenë dy herë në shtëpinë e tij dhe kanë kërkuar dorëzimin e armëve.

Ai ka thënë se disa prej personave kanë qenë me maska dhe disa të tjerë me kapele, ndërsa pretendon se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në një fabrikë metali në Kukës ku ishte keqtrajtuar për 13 ditë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij kryetarja e trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Speciales, Mappie Veldt-Foglia, e ka udhëzuar dëshmitarin që të mos e diskutojë me askënd dëshminë e tij para Gjykatës Speciale.

Shqyrtimi gjyqësor i sotëm pritet të vazhdojë me një dëshmitar tjetër.

Të ngjashme