Kryetari i Komuna e Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën politike në vend, duke ngritur shqetësime për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
“Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme. Ajo u përket qytetarëve të saj,” ka shkruar Rama, duke theksuar se zhvillimet aktuale rrezikojnë këtë parim themelor.
Ai e ka cilësuar situatën në Kosova si “thellësisht shqetësuese”, duke shtuar se ajo “pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike”.
Në kritikat e tij ndaj Lëvizja Vetëvendosje, Rama thekson: “Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit. Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen”.
Ai ka paralajmëruar edhe për rolin e Kuvendit, duke deklaruar se “Kuvendi, që duhet të jetë zemra e debatit të hapur dhe përfaqësimit, rrezikon të shndërrohet në një vulë formale”.
Duke folur nga pozita e tij si kryetar i kryeqytetit, Rama ka shtuar: “Qeverisja duhet t’i fuqizojë komunat, të nxisë bashkëpunimin dhe t’u shërbejë nevojave reale të njerëzve, jo të shtrëngojë kontrollin politik nga qendra”.
Në fund, ai bën thirrje për ruajtjen e standardeve demokratike: “Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas”, duke theksuar nevojën për “balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan”.