Përparim Rama ua “trashë” xhepin pronarëve të Somës, për një vit ua la gati shtatë mijë euro përmes drekave zyrtare

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe kabineti i tij, kanë të drekuara afro 14 mijë euro me para të buxhetit. Gjysmën e tyre, ata i kanë destinuar në Somën e famshme në Prishtinë. Gazeta Insajderi krejt këto i ka marrë vesh përmes qasjes në shpenzimet e kabinetit Rama për vitin 2023.

6,841 euro është shifra totale të cilat i kanë të harxhuara kabineti i Komunës së Prishtinës bashkë me kryetarin në dy lokalet e Somës. Këtë Gazeta Insajderi e ka marrë vesh përmes përllogaritjes së shpenzimeve të siguruara përmes kërkesës për qasje në shpenzime të Komunës së Prishtinës për vitin që shkoi.

Mbi 800 euro për një ditë në Soma i la kabineti i Ramës vetëm gjatë muajit maj. Në shpenzimet që ka siguruar qasje Gazeta Insajderi, kërkesës së cilës iu është përgjigjur pozitivisht Komuna e Prishtinës, figurojnë dy fatura të ndryshme në të njëjtën datë: 509 euro dhe 302 sosh më 25 maj të 2023-ës.

Shifra të mëdha të parave kabineti i Ramës ua la Somës më 6 qershor të vitit që shkoi. Për një ditë, nga kabineti i Ramës paguan dy fatura për dreka zyrtare si vijojnë: 830 euro dhe 675 euro në Soma.

Ndërkaq gati një mijë euro kabineti i kryetarit ‘londinez’ ia la Somës gjatë muajit korrik. Më 10 korrik, u shpenzuan 609 euro ndërsa me të 11-in 341 euro.

“Bujarë” me Somën nga Komuna e Prishtinës u treguan edhe në shtator. Sipas një fature të 27 shtatorit, kabineti i komunës kryeqytetase kanë ngrënë drekë në vlerë prej 658 eurosh.

Veç pas dy muajsh, konkretisht në nëntor të 2023-ës, kabineti i Ramës i lë 1,662 euro për një ditë në Somë. Faturat e datës 06.11.2023 janë si vijojnë: 910 euro, 213.50 euro dhe 538.50 euro.

Një drekë zyrtare të shtrenjtë në Soma Rama me kabinetin e tij e realizoi edhe në prag të fundvitit. Më 18 dhjetor të 2023-ës, u lanë 649 euro në Soma.

Në total, komuna e Përparim Ramës për një vit ka shpenzuar një të tretën e totalit të shpenzimeve në dreka dhe darka vetëm në Soma. Pra, 6,841 euro.

Në total, sipas shpenzimeve të cilat i janë ofruar në dispozicion Gazetës Insajderi nga Komuna e Prishtinës, kjo e fundit ka të harxhuara 18,918 euro në total për tërë vitin 2023 në dreka zyrtare.

Të ngjashme