Përqindja e femrave në sektorin e sigurisë konsiderohet e ulët

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 17:23 | Nga

Në MFSK sot u mbajt tryeza e rrumbullakët “Mbështetje për gratë në uniformë – Promovimi i barazisë gjinore në zhvillimin e karrierës”, i cili është organizuar nga Njësia për të Drejtat e Njeriut në MFSK në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) me seli Zvicër.

Punimet e tryezës i hapi Sekretari i Përgjithshëm i MFSK  Shkelzen Sylaj, i cili theksoi mundësitë e shumta në MFSK për zhvillim të karrierës për të gjitha ato oficere dhe zyrtare që kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm, duke shtuar se: ”Përqindja e femrave që shërbejnë në sektorin e sigurisë ende konsiderohet e ulët, megjithatë trendi është në rritje. Në krahasim me vendet e NATO-s, përqindja në FSK është në përputhje me shumicën e vendeve por, ne punojmë dhe synojmë përqindje më të madhe posa të plotësohen kushtet për rekrutim pas transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur”.

Po ashtu fillimin e punimeve të kësaj tryeze e ka përshëndetur zëvendësministri i FSK-së zoti Muhamet Latifi i cili vlerësoi lartë sukseset e grave në FSK të cilat kanë thyer paragjykimet e dikurshme, se ushtria është profesion i rëndë për femrat. “Zërat në të kaluarën jo shumë të largët, se ushtria është vetëm për meshkuj, që gratë nuk ia dalin dot, se nuk ka gra të suksesshme? Këto dyshime tani më i kanë hedhur poshtë sukseset e vajzave dhe grave të FSK, duke dëshmuar secila me shembullin e saj të suksesit. Gratë janë ato të cilat kanë thyer barrierat dhe kanë sfiduar paragjykimet, dhe mesazhin që ato përcjellin te shumë gra e vajza të tjera në mbarë vendin dhe përtej, për të kërkuar të drejtat e tyre, për të ndjekur ëndrrat, për të parë përtej sfidave të tyre.

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në fjalën e tij përshëndetëse foli për mundësitë e zhvillimit në karrierë të femrës në FSK, për çka dëshmojnë gradat që ato posedojnë në të gjitha rangjet si dhe përqindja e përfaqësimit të gjinisë femërore (8.52%) që është e lartë por jo e kënaqshme.

Ai përmendi sukseset e shumta të oficereve të FSK-së që kanë treguar si në trajnime, shkollim dhe garat e mbajtura si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Ai me këtë rast theksoi faktin se prej dy kadetëve që kemi në Akademinë Ushtarake në West Point të SHBA-ve, ku njëra është vajzë. Nga vizita e tij këtij vit në këtë akademi ai është njoftuar se kadetja Arilena Shala është kadetja më e mirë e gjeneratës së saj.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) është e përkushtuar për ta mbështetur përparimin e grave në karrierë në MFSK dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), prandaj ka shtruar në këtë tryezë një dialog të gjerë në nivel ekspertësh ndërmjet përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor me synim që të: 1.-Krijoj të kuptuar të përbashkët të rëndësisë së avancimit të grave në karrierë për të arritur struktura të paanshme dhe efektive të sigurisë; 2.-Identifikoi barrierat për avancimin e grave në karrierë në strukturat e sigurisë; 3.-Identifikoj politika dhe praktika që e mbështesin mbajtjen, promovimin dhe avancimin e grave; 4.-Identifikoj mënyra për parandalim identifikim dhe reagim më të mirë ndaj ngacmimit, diskriminimit dhe ngacmimit seksual të burrave dhe grave; 5.-Identifikoj strategji për ta rritur efektshmërinë e strukturave të brendshme gjinore dhe rrjeteve të grave në maksimum; 6.-Forcoj rrjetet profesionale ndërmjet njësive të barazisë gjinore në strukturat e sigurisë dhe ekspertëve të çështjeve gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në përmbyllje të punimeve të tryezës zonja Halime Morina-Lupçi, koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut MFSK, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, në mënyrë të posaçme përkrahjen e madhe të DICAF, përkrahjen e pakursyer të Ministrisë së FSK-së dhe vetë FSK-së.

Ajo po ashtu ajo ka falënderuar kontributin e jashtëzakonshëm në përgatitjet për mbarëvajtjen e tryezës ekipin përgatitor të grave të FSK-së dhe MFSK-së.

2-tryeza-per-barazin-gjinore-08-12-2016

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme