Personat me aftësi të kufizuara po përballen me sfida, ndihen të diskriminuar në punësim

Prishtinë | 08 Dhj 2019 | 09:03 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë afër 15% e popullsisë janë të prekur nga kufizimet e ndryshme.

Në vitin 2011 janë regjistruar vetëm 73 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Por kjo shifër po del të jetë e pasaktë sipas drejtorit ekzekutiv të Handikos-it, Afrim Maliqi, i cili në një prononcim për Ekonomia Online tha se shumica e personave në fjalë nuk janë regjistruar si dhe formularët e plotësuar janë të paqartë.

Maliqi bëri të ditur se afro 27 mijë persona marrin mbështetje financiare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Sipas regjistrimit të fundit të popullatës 2011 del se janë të regjistruar rreth 73 mijë persona me aftësi të kufizuar, mirëpo kjo nuk është informatë e saktë për arsye se shumica nuk janë regjistruar dhe gjithashtu edhe ata formular që kanë qenë nuk kanë qenë shumë të qartë. Mirëpo vlerësohet se sipas organizatës botërore të shëndetësisë mund të jenë afër rreth 15% të popullsisë të prekur me çfarëdo kufizime dhe mendoj që ky numër është jashtëzakonisht i madh. Në fakt në Kosovë janë rreth 27 mijë persona që marrin mbështetje financiare nga institucionet e tona respektivisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ky numër është deri më tani”, tha ai.

Personat me aftësi të kufizuar vazhdojnë të përballën me sfida të ndryshme e në veçanti fëmijët.

Maliqi thotë se ata janë të diskriminuar edhe në aspektin e punësimit.

Sipas tij, institucionet duhet të ofrojnë mundësi për personat me aftësi të kufizuara që të jenë të barabartë në shoqëri.

“Problemet apo sfidat janë të shumta duke filluar nga arsimi në të cilin ende nuk janë krijuar mundësi sa duhet në veçanti te fëmijët. Punësimi po ashtu infrastruktura jo shumë e qasshme dhe shumë e pa përshtatshme dhe e cila u krijon vështirësi personave me aftësi të kufizuar që të marrin pjesë sikur gjithë qytetarët e tjerë dhe kjo me të vërtet është diskriminuese dhe kjo bazohet edhe në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi mandej janë edhe mungesa e shërbimeve shëndetësore, rehabilituese pajisjet ndihmëse të cilat mungojnë fatkeqësisht nga institucionet e tona që personat me aftësi të kufizuar të jenë të aftë dhe të gatshëm t’i tregojnë vlerat dhe të konkurrojnë të barabartë me të tjerët”

“Ka disa persona të cilët janë të punësuar në institucione po kryesisht këta persona janë të punësuar sipas vlerave të tyre që kanë konkurruar të barabartë me të gjithë kandidatët e tjerë dhe me të gjitha potencialet dhe kapacitet e tyre janë të pranuar dhe ky numër është shumë i vogël për arsye se ligji për personat me aftësi të kufizuar ende nuk zbatohet dhe ky numër duhet të jetë më i madh sepse ka njerëz që mund të punojnë dhe mund të tregojnë që janë kandidat të mirë dhe t’i kryejnë punët si gjithë qytetarët e vendit”, thotë ai.

Sipas tij, institucionet e vendit nuk kanë ofruar shërbime për këtë komunitet, të gjitha shërbimet e nevojshme janë ofruar nga projektet e organizuara nga Handikos ani pse është përgjegjësi e institucioneve vendore.

“Ne si organizatë gjithmonë mundohemi që t’i dalim në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, mirëpo gjithmonë këto mbështetje janë vetëm përmes projekteve në veçanti duke ofruar shërbime ditore si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit , mandej gjithashtu duhet të përmendur edhe ofrimin apo mbulimin me pajisje ndihmëse të ndryshme që u ofrohen personave me aftësi të kufizuar e që në fakt gjitha këto shërbime do të duhej të ishin përgjegjësi e institucioneve”, shtoi me tej Maliqi.

Maliqi potencoi se çështjet infrastrukturore mbesin sfidë për vendin, pasi në këtë vit vetëm 7% e standardëve  janë përmbushur.

“Ne i kemi disa ligje që i përkasin personave me aftësi të kufizuara dhe nëse flasim për qasjen e infrastrukturës vetëm 7 % të standardeve janë përmbushë që do të thotë se çështja e infrastrukturës apo lëvizjes së lirë është çështja më sfiduese tani për tani në vendin tonë”.

Ai deklaroi se Komuna e Prishtinës në nivel të ulët e ka zbatuar ligjin në mbrojtjen e personave ne aftësi të kufizuara.

Maliqi ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që të shoh të drejtat e personave të kufizuar dhe jo si nevojë.

“Realisht ky ligj apo udhëzim administrativ i përket komunave respektivisht komunës së Prishtinës. Komuna e Prishtinës mund të them që jashtëzakonisht ulët e kanë zbatuar këtë udhëzim administrativ. “

“Qeveria e ardhshme duhet ta shohë aftësinë e kufizuar si çështje për të drejtat e njeriut që do të thotë të drejtën në arsim e drejta në punësim, e drejta në shërbime shëndetësore dhe rehabilituese pajisje ndihmëse, qasje apo lëvizje të lirë dhe kjo është e drejtë që të jenë barabartë me të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh Maliqi për EO.

Të ngjashme