Pesë propozime për manifestimin kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit 2019”

Gjilan | 14 Tet 2018 | 14:43 | Nga Sabit Rrustemi

Këtyre ditëve, opinini gjilanas dhe më gjerë, u njoftua për nisjen e përgatitjeve për organizimin e Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”, nisma dhe selia e të cilit, ishte dhe mbeti Gjilani.

Mirë, boll!

Thënë të drejtën, përgatitjet (nëse nuk mbesin vetëm si fragment i një konference shtypi), po nisin pak më herët se herave tjera, e kjo është për t’u përshëndetur.

Dhe, përshëndetja ime, shoqërohet me disa propozime që mund t’i ndihmojnë këtij Manifestimi, ndër më të veçantit në trevat e Ballkanit.

E para, “Flaka e Janarit” është Manifestim Kombëtar i Kulturës që nderon përmes vlerave të artit (dhe vetëm përmes vlerave) martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit. Nuk është Manifestim shumëkulturor (e as multikulturor), sepse në të dhe brenda tij, prej fillimit e këndej janë paraqitur vetëm vlerat e kulturës shqiptare të artit pamor, skenik, letrar e muzikor. Jo edhe të kulturave të tjera apo të popujve të tjerë.

Pra, kësaj çështje duhet vënë PIKË, njëherë e përgjithmonë.

Nëse në të ardhmen (gjë që nuk e besoj e as dëshiroj) pjesë e saj bëhen edhe kulturat e pakicave kombëtare që jetojnë, veprojnë e krijojnë në Kosovë, atëherë, po… mund të thuhet “Manifestim shumëkulturor” por, kjo e shtrembëron në thelb qëllimin dhe përkushtimin e “Flakës…” që u shpreh nga viti jo dhe aq i largët (1992) e këndej.

E dyta, Manifestimi i sivjem i “Flakës…” duhet t’i përkushtohet njërës prej figurave më të dinjitetshme të historisë së Gjilanit e të krahinës së Anamoravës, Mulla Idriz Gjilanit, në 70-vjetorin e djegies makabre të Tij nga argatët dhe urdfhër dhënësit e shërbimit më famëkeq që prodhoi ish Jugosllavia titiste – OZNËS, e cila do të duhej të rrumbullakësohet me ngritjen e Shtatores së tij, diku në pjesën qendrore të Gjilanit dhe, për këtë Komuna Ime duhet të tregohet e gatshme,serioze dhe këmbëngulëse që nga i pari i saj e deri të secili prej nesh.

E treta, vëmendje kryesore dhe preokupim i vetëm duhet të jetë rritja e cilësisë së përmbajtjes së këtij Manifestimi, meqë e kemi pas thënë qysh sa ishim nën pushtimin serb: më të shtrenjtit e kombit që u flijuan nëpër kohë për atdhe, do të nderohen vetëm me vlera të mirëfillta të artit e, këtë duhet ta përzgjedh dhe ta paraqes para publikut gjilanas e atij kombëtar, Këshilli Drejtues i këtij Manifestimi, përmes Grupeve të saja profesionale.

E katërta, meqë i përmenda Grupet Profesionale, Gjilani duhet të tregohet se është gjiithëpërfshirëse edhe me kuadrot nga fushat kryesore të artit, të cilat e përcollën këtë Manifestim, që nga fillimi. Pra, angazhimi i njerëzve të denjë të këtyre fushave, nga Prishtina, Tirana e Shkupi si dhe trevat tjera shqiptare, nëpër Grupe Punuese Profesionale, sepse nëpër Juri të ndryshme veç kanë qenë, duke e bërë edhe me këtë mënyrë, njëmend manifestim kombëtar, sepse, e meriton këtë “Flaka e Janarit”.

E pesta, e që kujtoj se është mjaftë qenësore: Zgjedhja zyrtare e emblemës së Manifestimit apo logos siç e quajnë pa të drejtë disa, e që përfaqëson katër shtyllat kryesore të “Flakës…”, kuptohet, përmes një konkursi publik, një jurie kredibile të artit si dhe miratimit në fund nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mënyrë që të përmbylet loja me Emblemën e këtij Manifestimi, sepse, kështu si e kemi bërë, nuk na ka hije ta bëjmë edhe mëtutje, e aq më pak, kur kemi të bëjmë me identitetion dhe përfaqësimin e këtij Manifestimi.

Besoj se, përveç nivelit komunal e në këto kondita, do të ndihmojë edhe më shumë se vitin e kaluar niveli qendror, meqë dihet botërisht: “Flaka e Janarit” ndodh në Gjilan por, e përfaqëson krejt Kosovën dhe, shqiptarinë…

(Nga Rraja e Çepurit, 14 tetor 2018)

Të ngjashme