Shefi i kompanisë farmaceutike Pfizer, Albert Burla ka deklaruar se pilula kundër koronavirusit pritet të jetë e disponueshme në pranverë.
Burla shtoi se kostoja e ilaçit i cili merret në rrugë orale do të ishte shumë më e ulët se trajtimet bazike mjekësore, por më e lartë se një vaksinë.
Shefi i Pfizerit, qartësoi se pilula do të jepet për personat që janë duke u trajtuar me koronavirus dhe jo për parandalimin e infektimit.
Vetëm një në dhjetë persona mund të kenë nevojë për t’u shtruar në spital, pasi kanë marrë pilulën, e cila do të jepet njëherë në mëngjes dhe njëherë në mbrëmje për 5 ditë.
Drejtori i Përgjithshëm i Pfizerit foli edhe për variantin e ri Omikron, ku shtoi se një vaksinë që mund t’i bëjë ballë variantit afrikano-jugor mund të jetë gati në muajin mars.
Por Burla tha se vaksinat aktuale janë të forta kundër variantit të ri dhe se mund të mos jetë e nevojshme një vaksinë e re.
“Ka gjasa që Omikron të mbizotërojë, por nuk ka mundësi që doza e tretë të jetë nën 75% efektive ndaj variantit të ri, por rreth 95%”.
Shefi i Pfizerit tha se dy dozat e para mbrojnë më mirë nga varianti Delta, ndërsa doza e tretë të ofron më shumë mbrojtje ndaj variantit Omikron.