Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën duket sikur të jetë e harruar në BE, dhe pakkush e përmend në këtë kohë kur Bashkimi Evropian përballet me tema dhe sfida të tjera, nga buxheti shumëvjeçar e deri tek përpjekjet për të nxjerrë një vendim pozitiv për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe kur përmendet Kosova, kjo bëhet më shumë lidhur me nevojën e rifillimit, apo vazhdimit të dialogut me Serbinë, sesa me liberalizimin e vizave.
Ka një kohë që kur në BE është krijuar një status quo në të cilën Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe shumica e shteteve anëtare janë të mendimit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme dhe duhet të ketë liberalizim vizash, por në Këshill nuk ka mbështetje të duhur që ky liberalizim vërtet të ndodhë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatë kryesimit të Finlandës kjo temë nuk u gjet fare në rend të ditës, edhe pse Finlanda kishte një qëndrim shumë pozitiv dhe kishte vullnet ta bënte këtë. Porositë nga disa shtete ishin që të mos vendosej në rend dite, sepse do ta refuzonin e pastaj do të mund të shtyhej edhe më shumë procesi.
Pamundësia e BE-së për të liberalizuar vizat me Kosovën është bërë shkak i zhgënjimeve në Kosovë. Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk lë takim pa e përmendur këtë zhgënjim të kosovarëve dhe të kërkojë që më në fund liberalizimi të ndodhë.
Thaçi e bëri këtë edhe të dielën mbrëma në Bruksel, ku mori pjesë në një darkë pune të liderëve të institucioneve të reja të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi ishte thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe në të morën pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula va nder Lyeyn, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.