Pochettino do të rikthehet në Premier League

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino ka thënë se është i hapur për të punuar sërish në Premier League dhe se do të marrë vendimin për të ardhmen e tij varësisht nga projektet që do t’i prezantohen nga punëdhënësit potencialë.

Argjentinasi e dërgoi Tottenhamin deri në finale të Ligës së Kampionëve vitin e kaluar, ku pësoi 2:0 nga Liverpooli. Ai ishte shkarkuar në nëntor, duke i dhënë fund periudhës prej pesë vjet e gjysmë në klub, që ishte vlerësuar e suksesshme, por pa trofe.

Mediat britanike kanë shkruar se 48-vjeçari është prej pretendentëve kryesorë për të zëvendësuar Steve Brucen te Newcastle United, nëse plani për të marrë klubin në pronësi nga investitorë arabë realizohet.

“Unë e dua Anglinë”, ka thënë Pochettino për Sky Sports. “Ideja ime është të vazhdojë të jetojë në Londër, por në të njëjtën kohë jam i hapur për vende tjera, për të dëgjuar dhe për të parë se çka po ndodhë. Unë jam gati dhe ne jemi staf i trajnerëve dukshëm më i mirë tani. Ne kemi mësuar shumë nga përvoja në Espanyol, Southampton dhe Tottenham. Ne kemi shumë për të dhënë për njerëzit që do të besojnë te ne në të ardhmen”, ka shtuar Pochettino për veten, për asistentin Jesus Perez dhe trajnerin e portierëve Toni Jimenez. Ai ka sjellë edhe persona tjera me vete nga klubet e kaluara.

Pochettino ka thënë se statusi i klubit të tij të ardhshëm nuk është i rëndësishëm sa planet e klubit.

“Janë dy gjëra të rëndësishme. Tifozët që janë prapa secilit klub dhe janë struktura që mbanë gjallë secilën kompani që dëshiron sukses në futboll. Tjetra është ideja e klubeve. Secili klub ka kulturë tjetër, filozofi, mënyrë të punës. Të gjitha klubet kanë plane të ndryshme për sukses. Për të qenë i suksesshëm në një klub duhet të fitosh Championsin apo Premier Leaguen. Por në një klub tjetër sukses është të përfundosh në katër apo gjashtë më të mirët. Duhet të respektohen të gjitha klubet. Të gjitha punojnë shumë dhe investojnë para. Nuk mendoj se duhet të nënçmohet ndonjë klub”, ka thënë Pochettino.

Të ngjashme