Policia: Aksioni në veri s’ka të bëjë me vrasjen e Enver Zymerit e Oliver Ivanoviqit

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka sqaruar gjendjen në veri, ku kanë thënë se kjo nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit  Oliver Ivanoviç, siç potencohet në disa media serbe dhe lokale.

Njoftimi i plotë:

Përmes kësaj shkrese zyrtare dëshirojmë të njoftojmë opinionin e gjerë dhe mediat se operacioni policor i cili po realizohet sot në rajonin e Mitrovicës Veri dhe Mitrovicës Jugu, nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit  Oliver Ivanoviç, siç potencohet në disa media serbe dhe lokale.

Ashtu siç e kemi potencuar edhe në komunikatën e poshtëshënuar, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara .

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.

Institucionet kompetente do të vazhdojnë t’iu mbajnë të informuar edhe përmes konferencës së planifikuar.

Ftojmë të gjitha mediat që t’iu përmbahen informacioneve zyrtare.

Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin  e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar,  përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, IPK-në mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave  në raste të tilla penale.

Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë; Prokuroria, Policia dhe IPK-ja:

Sqarim:

Për lokacionin, kohën dhe pjesëmarrësit në këtë konferencë do të njoftoheni me kohë përmes ftesës zyrtare.

Të ngjashme