Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet intensive në zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë publike.
Sipas njoftimit, gjatë javës së kaluar janë realizuar gjithsej 212 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme të rajonit. Prej tyre, 61 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar katër armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municion përkatës.
Ndërkaq, në kuadër të sigurisë në trafikun rrugor, Policia ka shqiptuar 3,595 gjoba për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Nga to, 591 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë me qëllim të forcimit të rendit, sigurisë dhe respektimit të ligjit.