Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve dhe shfrytëzuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve si në parkingje publike ashtu edhe në ato private.
Sipas njoftimit, rastet e vjedhjeve nga automjetet ndodhin për shkak se në brendësi të tyre lihen sende me vlerë në vende të dukshme duke u krijuar mundësi personave keqbërës të dëmtojnë automjetin dhe të përvetësojnë këto sende.
Me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla, Policia ka apeluar që të mos lihen çanta, portofolat, telefona celularë, llapëtorët, tabletët, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë në vende të dukshme brenda automjetit dhe para largimit nga automjeti siguroheni se dyert janë të kyçura dhe dritaret të mbyllura plotësisht.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton qytetarët që në rast se vërejnë persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve apo në parkingje të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’”.