Policia nis hetimet për fletëvotimet në veri ku u përdorën shenja

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme, Klankosova.tv ka raportuar në lidhje me disa fletëvotime nga komunat me shumicë serbe në veri ku janë vërejtur shenja të pazakonta si “=”, “%” dhe simbole të tjera, për çka janë ngritur dyshime se ato mund të jenë plotësuar në mënyrë të kontrolluar.

Për këtë çështje janë deklaruar nga Prokuroria Themelore, ku thuhet se është autorizuar Policia e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante nëse ekziston ndonjë element i veprës penale në lidhje me këtë rast.

“Konfirmojmë që është njoftuar Prokurori i Shtetit, nga Departamenti për Krime të Renda për këtë çështje penale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është autorizuar Policia e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante nëse ekziston ndonjë element i veprës penale në lidhje me këtë rast”, thanë për redaksinë nga Prokuroria.

Burime për Klan Kosova bëjnë të ditur po ashtu se gjatë procesit të votimit janë evidentuar disa parregullsi në veri, ku dyshohet se fletëvotimet mund të jenë plotësuar nga një dorë e vetme, pasi janë vërejtur ngjashmëri në nënshkrime dhe në mënyrën e plotësimit të tyre.

Sipas të njëjtave burime, pritet të shihet nëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) do të vendosë për hapjen e kamerave të sigurisë në qendrat e votimit, me qëllim verifikimin e dyshimeve të ngritura gjatë procesit zgjedhor.

Të ngjashme