Policia nuk arrin ta gjejë Nol Nushin, shtyhet gjykimi

Prishtinë | 07 Shk 2023 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit Nol Nushi, ish-aktivistë i Lëvizjes Vetëvendosje, Polica nuk ka arritur sigurojë pranin e tij në seancën e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.

Në mungesë të të akuzuarit Nushi, seanca gjyqësore ndaj tij është shtyrë në kohë të pacaktuar, ndërsa ndaj tij gjykata ka lëshuar sërish urdhëresë për sjellje me detyrim.

Nushi po akuzohet se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, në protestën e 17 dhe 18 nëntorit 2015.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Nushi, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli tha se ndaj të njëjtit gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo Stacioni Policor Jugu ka njoftuar gjykatën se të njëjtin nuk kanë mundur ta lokalizojnë ose të kontaktojnë përmes telefonit.

“Shqyrtimi gjyqësor shtyhet në datë të pacaktuar deri sa të marr[ përgjigje të qartë dhe të saktë nga Stacioni Policor Jugu lidhur me zbatimin e urdhëresës”, konstatoi gjyqtarja Shala-Abdyli.

Nushi akuzohej edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, mirëpo gjyqtarja Donika Shala-Abdyli njoftoi se për të njëjtën tashmë ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, i akuzuari Nol Nushi ngarkohet se më 17 dhe 18 nëntor 2015, prej orës 12:00 deri rreth orës 20:00, ka marrë pjesë në turmën-protestën, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, Nushi si pjesëmarrës aktiv i protestës ka sulmuar seriozisht policët e Kosovës duke i goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete të tjera të forta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe dëme të mëdha materiale, si në pronën shoqërore edhe në prona private.

Me këtë, sipas prokurorisë, Nushi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 421, par.1, veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, par.2 si dhe veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333, të Kodit Penal.

Të ngjashme