Balotazhi, humbje për PDK-në

Prishtinë | 06 Dhj 2016 | 11:48 | Nga

Rezultati më i dobët zgjedhor që nga paslufta për PDK-në në Drenas vlerësohet se do të ndikojë negativisht edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Analistët politikë vlerësojnë se edhe balotazhi në Drenas do të thotë humbje e mirëfilltë për PDK-në.

Driton Selmanaj, nga organizata “Demokracia Plus”, ka vlerësuar se pas rezultatit të zgjedhjeve në komunën e Drenasit PDK-ja mund të pësojë humbje edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Ky është treguesi i një trendi të rënies së mbështetjes elektorale në Partinë Demokratike të Kosovës. Nëse ata e humbin bazën e tyre, normalisht pritet që edhe në nivel tjetër ky trend të vazhdojë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Më tej ai ka thënë se subjektet politike duhet të reflektojnë sepse, siç është shprehur Selmanaj, pritet të ketë rezultate të befasishme.

“Secili subjekt politik duhet të reflektojë se përndryshe rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të na befasojë edhe më shumë. Shkuarja në balotazh e PDK-së është humbje, pavarësisht rezultatit përfundimtar që do të jetë”, është shprehur Selmanaj.

Madje, sipas tij, PDK-ja ndonëse ka kërkuar të shkojë në zgjedhje, tani mund ta shtyjë një kërkesë të tillë.

Gashi: Rezultati i zgjedhjeve, thyerje e PDK-së.

Krenar Gashi, doktorant në shkencat politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë, ka vlerësuar se rezultati i fundit në zgjedhjet e Drenasit paraqet një thyerje të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Pa dyshim që rezultati i zgjedhjeve në Drenas tregon një thyerje të PDK-së në zonën që është konsideruar si bastion i saj politik. Një gjë e tillë edhe është pritur duke pasur parasysh se ndryshimet e raporteve të fuqisë brenda PDK-së kanë ‘dëmtuar’ partinë në rrafshin elektoral”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, sipas Gashit, ajo që e ka dëmtuar më së shumti PDK-në është fakti i të qenit në pushtet për një kohë të gjatë.

Mirëpo thyerja e vërtetë për PDK-në, siç ka thënë ai, mund të vijë vetëm nëse në Drenas ndodh e njëjta siç pati ndodhur në Prishtinë.

“Megjithatë, për një thyerje të vërtetë të PDK-së në Drenicë mund të flasim vetëm nëse në Drenas ndodh skenari i Prishtinës, pra nëse votuesit njëmend janë të ngarkuar që të votojnë kundër PDK-së në balotazh”, ka potencuar ai.

E analisti politik Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se testi i të parit të PDK-së ka rezultuar të jetë i dobët. “Testi i parë i rëndësishëm i Kadri Veselit si kryetar partie doli i dobët. Thyerja psikologjike te votuesit ka ndodhur dhe kjo jep shpresë se votuesit do të dinë t’i thyejnë edhe bastionet tjera partiake”, ka deklaruar ai. Sipas Mushkolajt, rezultatet në Drenas janë sinjal i rëndësishëm për zgjedhjet e përgjithshme.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme