D+ dhe Çohu monitorojnë shpenzimet e partive në fushatë zgjedhore

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 16:49 | Nga

Demokracia Plus (D+) dhe Çohu! do të monitorojnë shpenzimet e partive politike për fushatën zgjedhore 31 maj – 9 qershor. Qëllimi i këtij monitorimi është identifikimi i shpenzimeve dhe burimeve të donacioneve të cilat partitë politike i marrin nga kompani private dhe individë në formë të parave të gatshme apo shërbime në natyrë.

Partitë politike obligohen me ligj t’i deklarojnë të gjitha këto donacione, por ky detyrim ligjor nuk respektohet në tërësi në shumë raste.

Përveç donacioneve, partitë politike e financojnë fushatën e tyre zgjedhore përmes fondit për demokratizim, të cilin e ndanë Kuvendi i Kosovës në shumën prej 4.2 milionë euro në vit.

Monitoruesit janë angazhuar për të përcjellë shpenzimet e partive politike në tubime zgjedhore, reklama në televizione, gazeta dhe portale, materiale promovuese (billborde, postera, fletushka, flamuj).

Gjithashtu, në kuadër të këtij monitorimi do të përcillet edhe përdorimi i veturave zyrtare dhe pjesëmarrja e shërbyesve civil dhe punëtorëve të tjerë të administratës shtetërore.

Si rezultat i këtij monitorimi D+ dhe Çohu! do të hartojnë dhe publikojnë raporte në lidhje me harxhimet e secilit subjekt politik dhe më pastaj të njëjtat do të krahasohen me shpenzimet e deklaruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme