Donjet Bislimi zgjidhet kryetar i Rinisë së PDK-së

Prishtinë | 07 Kor 2018 | 16:10 | Nga

Studenti i mjekësisë dhe asamblisti më i votuar nga PDK në Mitrovicë, Donjet Bislimi, është zgjedhur kryetar i të rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës, në Konventën e gjashtë e cila u zhvillua sot në Prishtinë.

Donjet Bislimi, 23-vjeçar, ka marrë besimin e qindra delegatëve nga të gjitha degët e Partisë Demokratike. Ai është në vitin e 6-të të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Bislimi është shef i Grupit të Asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal në Mitrovicë. Ai ka qenë asamblisti më i votuar në këtë komunë.

Gjatë fjalës së tij para delegatëve në Konventën e gjashtë, Donjet Bisllimi ka porositur të rinjtë e Partisë Demokratike të pasojnë rrugën e liderëve të PDK-së, të cilët në moshën e rinisë arritën lirinë dhe pavarësinë.

“Ne të arrijmë Zhvillimin dhe Integrimin me BESIM”, ka thënë Bislimi.

Në hapje të Konventës zgjedhore të Rinisë Demokratike sot ishte i pranishëm edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili theksoi se në këtë proces zgjedhor PDK-së i janë bashkuar mbi 20 mijë të rinj për Dekadën e Re.

“Rinia Demokratike e Kosovës është model shembullor i një procesi të pastër demokratik, të hapur, transparent, garues, gjithëpërfshirës dhe përfaqësues, mbi të gjitha. Ata kanë dëshmuar se janë zëri i të rinjëve të Kosovës. Dekada e re është potenciali i të rinjëve, forcë e transformimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit”.

“Dekada e Re është rruga e përparimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, nën lidershipin e vendosur të Partisë Demokratike të Kosovës. Bashkë me rininë do të punojmë që ta jetësojmë Dekadën e Re për Kosovën”, ka thënë Veseli.

 

Të ngjashme