Enver Hoxhaj me videomesazh për kandidaturën e tij për kryeministër: Nder dhe përgjegjësi e madhe, por bashkë mund t’ia dalim për Kosovën

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj përmes një videoadresimi duke falënderuar kryesinë, strukturat dhe anëtarët e PDK-së për besimin dhe mbështetjen e dhënë ka thënë se shkuarja në Hagë e liderëve të UÇK-së dhe të PDK-së, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, ishte ishte goditje e madhe për shtetin e Kosovës.

“Por, ne jemi krenarë me të kaluarën e lavdishme të kombit tonë dhe me historinë e re të Kosovë, e cila u shkrua me luftën e drejtë dhe mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë. Kjo histori nuk do të mund të rishkruhet. Partinë Demokratike të Kosovës nuk e ligështojnë sfidat. Edhe tash, duke qenë bashkë, do të jemi të pathyeshëm. Triumfi është tradita jonë. Dhe këtë po e ndjej fort kudo në Kosovë edhe sot. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe – me strukturat, anëtarësinë dhe aktivistët, që si një familje e madhe, asnjëherë nuk kanë kursyer asgjë për vendin.”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhajt, është lajm i mirë mbajtja e zgjedhjeve në të cilat po hyn vendi, sepse po merr fund degradimi që sollën dy qeveritë Kurti dhe Hoti pas 6 tetorit 2019 dhe keqmenaxhimi i situatës pas pandemisë që goditi qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Hoxhaj theksoi se po hapet mundësia e madhe që Kosova të kthehet në rrugën e duhur dhe PDK-ja me ekipin dhe programin e saj për një qeverisje që ka në qendër qytetarin, do ta rimëkëmbë Kosovën.

“Partia Demokratike është e vetmja që ka vizion dhe potencial që ta zhvillojë ekonominë, që të ndërtojë marrëdhënie me aleatët perëndimorë dhe që të kujdeset për mirëqenien e qytetarëve. Partia Demokratike përsëri do të jetë adresa e vetme e duhur për qytetarët e Kosovës. Përsëri qytetarët do të fitojnë me PDK-në. Përsëri Kosova do të fitojë me PDK-në. Përsëri do të fitojmë për ta rimëkëmbur Kosovën tonë ekonomikisht, politikisht dhe kombëtarisht.”, ka përfunduar Hoxhaj.

https://www.facebook.com/watch/?v=2749219041961539

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme