Haradinaj: Mostransparenca e Gërvallës për takimin me Al-Malikin dëmton raportet me Izraelin

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se mostransparenca e kryediplomates Donika Gërvalla për takimin me homologun e saj palestinez e dëmton marrëdhënien e re të Kosovës me Izraelin dhe interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja në Lindjen e Mesme.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se autoritetet palestineze kanë ndihmuar Serbinë në përpjekjet për kampanjën kundër Kosovës duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë me disa shtete në Lindjen e Mesme.

“Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës. Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem! Prandaj Kosova nuk ka asnjë përgjegjesi morale ndaj Palestinës, dhe Ministrja nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut”, ka shkruar ajo.

Tutje, Haradinaj-Stublla ka thënë MPJ duhet të sqarohet me deklaratë publike rreth takimit të Gërvallës me ministrin e jashtëm palestinez Riyad al Maliki.

“Heshtja e Ministres sonë hodhi poshtë gjithë këtë mund, duke ia dhuruar terrenin diplomatik vetëm Palestinës dhe Serbisë për të amplifikuar mesazhet e interesit të tyre që bie ndesh me interesat shtetërore të Kosovës dhe duke vendosur Kosovën automatikisht në pozicion defanziv dhe të dëmshëm. MPJD duhet urgjentisht të sqarohet me një deklaratë publike në shqip dhe anglisht rreth takimit, temave, dhe pozicionit të Kosovës rreth asaj që ka deklaruar MPJ e autoriteteve palestineze pas takimit me Kosovën, për të riparuar dëmin tashmë të shkaktuar me Shtetin mik të Izraelit”, ka thënë Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme