Hoti: PDK-AAK-Nisma do ta kthejnë Kosovën 17 vjet prapa

Prishtinë | 18 Maj 2017 | 14:52 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa për kryeministër, Avdullah Hoti, e ka cilësuar shefin e tij të deritanishëm, Isa Mustafa, si burrështetas dhe drejtues të urtë i Kosovës. Në një tubim me të rinj të LDK-së, Hoti ka thënë se Mustafa e shpëtoi shtetin nga shkatërrimi, dhe ishte i pakompromis kundër korrupsioni, krimit dhe kapjes së shtetit.

“Nën drejtimin e tij, ne i kemi dhënë fund korrupsionit, kemi luftuar krimin. Nën drejtimin e tij, e kemi kthyer shtetin kah qytetarët e Kosovës, e kemi kthyer kah Evropa, aty ku e kemi vendin… Puna jonë është bërë dëshmi se Kosova mund të prosperojmë si çdo vend tjetër, se dhe të rinjtë tanë janë si të gjithë të rinjtë evropianë, se ne nuk guxojmë që t’i mbajmë të izoluar dhe se ne nuk guxojmë t’i kthehemi të shkuarës”, deklaroi Hoti, në një tubim me të rinjtë e LDK-së.

“Kundër këtij prosperitetit është krijuar një koalicion që po mundohet të na kthejë 17 vjet prapa. Bashkë me ju, me njerëzit e drejtë e të ndershëm të këtij vendi, bashkë me qytetarët e Kosovës, ne nuk do ta lejomë këtë”.

“Ne e dimë që ai koalicion i natës dhe i frikës nuk ka ide dhe as përvojë se si ta zhvillojë vendin, se si të punojë për ju, se si t’i japë shpresë Kosovës”, ka vazhduar Hoti, për partinë, e cila ishte partner në qeverisje.

Fjalimi i plotë i Avdullah Hotit:

    

Të dashur të rinj, që jeni sot me ne, kaq shumë, dhe plot shpresë për të sotmet dhe të ardhmen e Kosovës

Sot, jam njeriu më i lumtur, që adresimin tim të parë si kandidat LDK-së, dhe i koalicionit tonë për Kryeministër të Kosovës, ta bëj këtu përpara juve, ju që jeni pasuria dhe shpresa më e madhe vendit tonë. As nuk do të mund të ishte ndryshe, sepse Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë, pra me pasurinë më të madhe në Evropë.

Të dashur të rinj të LDK-së, të AKR-së, Alternativës e të Lëvizjes për Drejtësi,

Të dashur të rinj të Kosovës,

Dua që para jush të shpreh admirimin më të madh për punën e Kryeministrit Mustafa, si burrështetas dhe drejtues i urtë i Kosovës, për njeriun që shpëtoi shtetin tonë nga shkatërrimi, për njeriun që në këto vite na priu në përpjekjen tonë pa kompromis kundër korrupsion, krimit dhe kapjes së shtetit.

Nën drejtimin e tij, ne i kemi dhënë fund korrupsionit, kemi luftuar krimin. Nën drejtimin e tij, e kemi kthyer shtetin kah qytetarët e Kosovës, e kemi kthyer kah Evropa, aty ku e kemi vendin.

Vendimi i Kryministrit Mustafa dhe i LDK-së që Kryeministër i ri të jetë një i ri është dëshmia më e madhe se ne duam që të ardhmen tonë ta lëmë në dorën e të rinjve, në dorën tuaj.

Gjatë këtyre viteve të vështira të qeverisjes së LDK-së, ne kemi punuar pa ndalë, me përkushtim e me nder. Kjo punë dhe ky nder kanë dhënë rezultate të mëdha dhe shumë shpresë për vendin tonë.

Puna jonë është bërë dëshmi se Kosova mund të prosperojmë si çdo vend tjetër, se dhe të rinjtë tanë janë si të gjithë të rinjtë evropianë, se ne nuk guxojmë që t’i mbajmë të izoluar dhe se ne nuk guxojmë t’i kthehemi të shkuarës.

Të dashur të rinj e të reja,

Kundër këtij prosperitetit është krijuar një koalicion që po mundohet të na ktheje 17 vjet prapa. Bashkë me ju, me njerëzit e drejtë e të ndershëm të këtij vendi, bashkë me qytetarët e Kosovës, ne nuk do ta lejomë këtë.

Ju jeni shpresa dhe vullneti im, i LDK-së dhe i partnerëve tanë.

Ne do të punojmë çdo ditë për ju dhe për interesat e vendit tonë.

Ne e dimë që ai koalicion i natës dhe i frikës nuk ka ide dhe as përvojë se si ta zhvillojë vendin, se si të punojë për ju, se si t’i japë shpresë Kosovës.

Ky koalicion i krizës personale të drejtuesve të tij, kurrë nuk mund të jetë i mirë për vendin tonë dhe sidomos për ju.

Ne, në kushte shumë të vështira për funksionimin e institucioneve, arritëm:

• Të kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon,

• ta ulim papunësinë,

• të hapim vende të reja të punës,

• të rrisim sa kurrë më parë investimet e huaja,

• të bëjmë investimet më të mëdha në Kosovë,

• të rrisim pensionet,

• të fillojmë t’ua shpërblejmë sakrificën veteranëve të luftës,

• të fillojmë t’ua shpërblejmë sakrificën arsimtarëve të viteve ’90, që janë vitet më lavdishme të Kosovës.

Tash jemi në një fazë të re, duhet të punojmë edhe më shumë, duhet të jemi bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës, si në kohën e Presidentit tonë Historik, dr. Ibrahim Rugova, që t’i japim Kosovës fitoren e qetësinë që i jepte ai.

Ne, së bashku, do të punojmë me miqtë tanë ndërkombëtarë, sepse në Kosovë ata na kanë ne partnerët e vetëm, të vërtetë dhe të besueshëm. Ky partneritet bazohet në traditën që e ka ndërtuar LDK-ja me punën dhe përkushtimin e saj për 27 vjet me radhë.

Unë ju bëj thirrje sot që të jemi së bashku çdo ditë dhe çdo orë.

Të punojmë me të gjithë, deri në fitoren e koalicionit tonë, që pastaj, së bashku me partnerët tanë, të ndërtojmë një ekip të ri qeverisës.

Ekipi do të jetë me njerëz nga ju dhe njerëz si ju, me njerëz që e njohin rininë dhe njerëz që ju i njihni, që e njihni punën e tyre dhe etikën e tyre, njerëz për të cilët ju dini çdo gjë.

Ne do të jemi transparentë dhe të ndershëm.

Unë ju siguroj se kurrë për punën tonë nuk do të mund të na drejtojë gishtin askush.

Të dashur të rinj,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Ju ftoj që nga tani t’i hyjmë punës kudo, të shkojmë në çdo shtëpi, në çdo lagje, fshatra e qytete, në çdo cep të Kosovës.

Ne e kemi për detyrë dhe rastin e lavdishëm që përfundimisht ta shpëtojmë Kosovën nga krimi dhe korrupsioni, nga padija dhe izolimi.

11 qershori është afër. Unë ju ftoj që atë ditë, sic thoshte Presidenti Rugova, të visheni bukur, të dukeni bukur, sepse 11 qershori do të jetë festa jonë e madhe.

Faleminderit shumë të gjithëve dhe na priftë e mbara!

Të ngjashme