Hoxhaj për vizitën e Varhelyi: Pa substancë, s’premtoi asgjë që mbahet mend

Prishtinë | 08 Tet 2020 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj po e cilëson si rutinë vizitën e sotme të Komisionarit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai për KosovaPress tha se ky i fundit nuk dha asnjë premtim për vendin që mbahet mend dhe se ishte një vizitë pa substancë.

Ai e kritikoi atë edhe për fjalimin para të zgjedhurve të popullit.

“Mendoj që ishte një vizitë pa substancë, pa asnjë premtim që mbahet në mend. Pa një qëllim të matshëm, sidomos kur kemi parasysh se Komisionari për Zgjerim mbajti fjalim në Kuvendin e Kosovës, e aty kushdo që ka mbajtur fjalim ka mbajtur fjalim për një punë që e ka kryer, ose premtim konkret që është në rrugë e sipër të përmbush. Kështu që ishte një vizitë rutinë, pa e përmendur as liberalizimin e vizave. Sikur kjo të ishte temë e shekullit 18-të, e ne jemi në shekullin e 21-të”.

Hoxhaj, i cili u takua me Varhelyi bashkë me kryetarin e partisë Kadri Veseli, thotë se nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit për liberalizimin e vizave, kredibiliteti i saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje.

“Injorimi i kësaj teme, pretendimi gjoja se të shohim se çfarë do të ndodh, do t’i kushtojë në kredibilitet BE-së. Por, do t’i kushtojë edhe Kosovës, edhe raportin që qytetarët e Kosovës do të kenë me shtetin dhe BE-në, sepse është çështje e besimit. Nëse kriteret janë përmbushur, e kjo qëndron në tekst, BE-ja duhet të jetë serioze dhe e përgjegjshme se është një raport kontraktual, sepse na kanë ofruar në vitin 2012 udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe ne kemi punuar nga 2012 deri në vitin 2018 për t’i përmbushur të gjitha kriteret. Tash thjesht të injorohet dhe mos të thuhet asgjë mendoj që është temë e ndejshme dhe serioze. Nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit, atëherë kredibiliteti i saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje”.

Kritike ndaj komisionarit europian u shpreh edhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme Time Kadrijaj e cila tha se BE-ja i ka hyrë në hak Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme