Ish-këshilltari i Veselit thotë se Kosovës i duhet një Qeveri e unitetit kombëtar

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se dështimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë, duket se i bën të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme.

Ish-këshilltari i Kadri Veselit, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se partitë tjera me gjasë nuk janë të gatshme për një formulë tjetër të koalicionit qeveritar.

Sipas Latifit, nuk është demokratike kur koalicioni postzgjedhor nuk e pasqyron rezultatin e zgjedhjeve.

“Por, edhe zgjedhjet e parakohshme nuk premtojnë të sjellin zgjidhjen e duhur. Gjasat më të mëdha janë që edhe pas tyre do të kemi situatë ngërçi të njëjtë, sikurse e kemi tani. Pra, rrezikojmë që edhe për një gjysmë viti tjetër të mos kemi qeveri që funksionon në kapacitet të plotë ekzekutiv. Qeveria teknike është një variant tjetër i humbjes së kohës. Mbase gjëja më e duhur është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, e cila brenda një viti do të përfundonte marrëveshjen me Serbinë, do të bënte reformën zgjedhore, si dhe ndryshimet kushtetuese për ta nxjerrë institucionin e presidentit nga negociatat partiake të ndarjes së pushtetit, duke e vendosur zgjedhjen e tij të drejtpërdrejtë nga populli”, ka shkruar ai.

Latifi ka theksuar se në këtë mënyrë shteti do të dilte nga bllokada e dyfishtë në të cilën ndodhet : nga bllokada në politikën e jashtme dhe bllokada në politikën e brendshme.

“Natyrisht, krejt kjo bëhet e mundur nëse politikanët e vendosin interesin shtetëror, para interesit të egove të tyre për pushtet”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme