Kadaj-Bujupi: Largimi nga AAK-ja ishte parimor

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 18:00 | Nga

Pas një angazhimi shumëvjeçar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), u largua papritmas nga kjo parti – për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje (prill 2016). Është fjala për Donika Kadaj-Bujupin, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 kandidon për herë të parë për deputete nga lista e Vetëvendosjes.

Kadaj-Bujupi më 2014 (në kuadër të AAK-së) kishte marrë 6,143 vota. Ajo beson se largimi nga partia e Ramush Haradinajt (AAK), nuk do të ndikojë në rezultatin e saj në zgjedhjet e radhës.

Në një prononcim për Telegrafin, ajo ka theksuar se “kalimi i saj në Vetëvendosje ka qenë parimor” dhe se këtë e ka vërtetuar së fundmi edhe “bashkimi i AAK-së me Klanin Pronto – PDK-në”.

“Ajo që më preokupon aktualisht është që unë të jem vlerë e shtuar në Lëvizjen ku kam kaluar. Nëse gjatë gjithë kohës dikush ka kundërshtuar Klanin Pronto dhe në fund ka përfunduar aty (AAK), sigurisht se do të ndëshkohet nga qytetari”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Donika Kadaj-Bujupi në listën e VV-së ka numrin 9. Në zgjedhjet e 2014-ës, në listën e AAK-së ishte e gjashta në radhitje. E pyetur se sa peshë ka renditja në listë, ajo thekson se “para renditjes numerike duhet të kemi kriter rreshtimin parimor”!

Kandidatja e VV-së ka theksuar se votuesit që e kanë votuar për shkak të bindjeve të saja, “do ta gjejnë sërish brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje”.

Më tej, Kadaj-Bujupi ka shtuar se “Lëvizja Vetëvendosje po shënon rritje” dhe se kjo është vërtetuar, siç thotë ajo, “në sondazhet e fundit ku kanë dalë si subjekti i parë në vend”.

Duke folur për arritjen e koalicioneve parazgjedhore, Kadaj-Bujupi shprehet: “Koalicionet e natës, të arritura në orët e fundit të afatit të regjistrimit, janë koalicione të frikës e në dëm të qytetarëve.

Ato kanë për qëllim vazhdimin e mjerimit dhe thellimin e varfërisë. Të bashkohesh sot me Klanin Pronto është dëmi më i madh që mund t’i bësh qytetarit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme