Komisioni për Medie kthen raportin e KPM-së, kërkon që të përgatitet më mirë

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 11:27 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishte shqyrtimi i raporteve vjetore të Komisionit të Pavarur për Media dhe Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2017 dhe Ligji për Statistikat Zyrtare.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, tha se KPM-ja nuk po e kryen punën e saj.

Sipas Hasanit, ka shumë mediume e portale të cilat nuk kanë licensa dhe nga raportet e kaluara nuk ka asnjë ndryshim. Ai u shpreh i shqetësuar me mungesën e digjitalizimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Ne ju kemi zgjedhë juve për me i eduku mediat dhe kjo nuk po ndodhë, nuk kemi kërku nga ju me i dënu, por sipas ligjit me u zbatu”, tha Hasani.

Qemajl Krasniqi nga KPM-ja tha se shkeljet e ndryshme të mediave sanksionohen me vërejtje dhe në vitin 2017 në zgjedhjet që kanë qenë, KPM-ja ka raportuar dhe ka sanksionuar me gjobë financiare nga 1 mijë euro disa prej mediave televizive.

Sipas Krasniqit, gjoba më e madhe i është dhënë Klan Kosovës me 5 mijë euro për arsye të shkeljes së etikës mediale, raporton Ekonomia Online.

“KPM-ja ka qenë aktive në raportimin për Komisionin Evropian për takime të dialogut të stabilizim asocimit në bisedimet për ofrimin e rregulloreve të rregullimit të mediave në Kosovë me rregulloren e Komisionit Evropian që janë udhërrëfyes dhe bazë për punën e mëtutjeshme të mediave në Kosovë”, tha Krasniqi.

“Shkëmbimi i përvojave tona me përvojat e avansuara me të Evropës së Mesme dhe Mesdhetare janë të domosdoshme dhe ndihmë e madhe për ne dhe mendoj që ky bashkëpunim edhe te çështja e rregullimit të mediave elektronike qe i quajmë portale, në këtë frymë Austria dhe Kroacia janë dy vendet që kanë ecë shumë më përpara në këtë aspekt”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se për të filluar digjitalizimin e RTK-së duhet për t’u pajisur me makineri për fillimin e procesit të digjitalizimit edhe pse, sipas tij, RTK-ja ka thënë se janë gati për të filluar këtë proces. Ai po ashtu shtoi se me procesin e digjitalizimit, procesi i kontrollimit të mediave bëhet më i thjeshtë.

Antarja e komisionit, Xhevahire Izmaku, u ankua për KPM-në që nuk po e kryen punën siç duhet dhe për moskalimin e strategjisë së implementimit të digjitalizimit në Kuvend.

“Implementimi që në vitin 2015 ka qenë prioritet dhe strategjia nuk ka kaluar në Kuvend dhe nuk keni kërku ndonje ndihmë nga Kuvendi me iu ndihmu në procesin e digjitalizimit asnjë organizatë, kemi pa që gjitha shtetet që janë në fazën e tranzicionit kanë marrë fonde nga BE-ja për realizimin e ju nuk keni kërku, nuk mundemi me pasë prioritete që 4 vite mos me bë asgjë dhe nuk keni kërku ndihmë as nga qeveria”, tha Izmaku.

Izmaku tha që KPM-ja ka humbë autoritetin e saj te mediat dhe publiku nuk e njeh rolin e saj.

Anëtari Milaim Zeka foli për shkeljet e të drejtave që u bëhen producentëve me publikimet e krijimeve të tyre, raporton EO.

“Portalet, Komisioni që ju udhëheqni duhet me i pa në monitorim se si portalet luajnë me lexuesit kur thotë klikoni videon dhe kjo është mashtrim dhe ata duhet të ndëshkohen, sepse aty nuk ka asnjë video dhe është shkelje flagrante e të drejtave të autorit, se këto platforma vjedhin filma e gjithçka në kushte reale kur transmetohet një film, këngë apo serial. Çdo vend demokratik në mënyrë automatike te producenti shkojnë një përqindje për drejtën e autorit”, tha Zeka.

“BE-ja do nxjerr një ligj këto ditë ku do të diciplinohen mediat, do të krijohet një robot që në mënyrë automatike do nxjerr çdo gjë që është e kopjuar dhe për shkak të shqetësimit të BE-së që po bëhen keqpërdorime përmes portaleve dhe platformave të ndryshme, këto ditë do të hyjë një ligj që do të bëhet diciplinimi i mediave”, tha Zeka.

Adem Mikullvci bëri apel që KPM-ja të kontrollojë mediat më shumë në programet që ata kanë për arsye se ka mungesë të madhe të programeve edukative nëpër televizionet tona.

Sipas Mikullovcit, ka numër shumë të vogël të emisioneve edukative dhe argëtuese për fëmijë.

“Është e patolerueshme sepse që nga dita e parë e Rilindjes e ka pasur faqen për fëmijë dhe tani asnjë media dhe asnjë televizion nuk ka asnjë emision edukativ. Duhet të bëhen emisione argëtuese dhe edukative për fëmijë, mendoj që është një e metë e madhe që unë nuk di si e toleroni. Disa prej televizioneve kanë por janë në gjuhën angleze dhe fare nuk kuptohen dhe këtu duhet të bëhet punë më e madhe”, tha ai.

Anëtarët e komisionit vendosën që të kthejnë raportin KPM-së në plotësim.

Kryetari i komisionit Nait Hasani  kërkoi që brenda një afati të shkurtër të plotësohet ky raport.

Lexo më shumë:

Të ngjashme