Kosnett: Të shfrytëzohet përkushtimi i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Raportet dhe partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të forta, por është e rëndësishme të mos mendohet që këto raporte mes Uashingtonit dhe Prishtinës do të vazhdojnë përgjithmonë, porositi ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

“Është e natyrshme që marrëdhëniet tona do të evoluojnë dhe ju duhet të prisni që në të ardhmen, Kosova do të bëhet më e pavarur ekonomikisht dhe më pak e varur nga ndihma amerikane, nga ndihmat e diasporës apo të të huajve në përgjithësi”, tha Kosnett gjatë një konference virtuale për media.

Ambasadori Kosnett tha se SHBA-ja e ka ndihmuar Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë që të pavarësohet ekonomikisht, të jetë vend më i sigurt dhe të ketë më shumë barazi politike, por sipas tij, të gjitha këtyre proceseve duhet t’iu prijë “populli dhe liderët politikë të Kosovës”.

Kosnett tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka dëshmuar “më shumë përkushtim konkret dhe ka bërë më shumë veprime për të përmirësuar situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo administratë tjetër amerikane në këto 20 vjetët e fundit”, qofshin ato administrata republikane apo demokrate.

“Ne jemi në një kohë kur Qeveria amerikane dhe miqtë tanë në BE janë vërtet të fokusuar në Ballkanin Perëndimor, që të bëhet përparim në këtë rajon. Mund t’ju them se ka mbështetje të të dy partive në SHBA për këtë gjë, por nuk mund t’ju premtoj se energjia aktuale dhe përkushtimi do të vazhdojnë përgjithmonë. Është e rëndësishme që të shfrytëzohet ky moment”, tha ai.

Ambasadori amerikan shtoi se ndryshimi eventual i administratës amerikane pas zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi “për pavarësinë e Kosovës, zhvillimin dhe stabilitetin rajonal ka mbështetje nga të dy partitë amerikane”./rel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme