Kurti fton partitë të bashkohen për të kërkuar llogari ndaj Serbisë

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 11:49 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka folur për kërkesat ndaj Serbisë, për të cilat subjektet politike mund të bëhen bashkë në Kuvendin e Republikës.

Kurti përmendi të gjitha dëmet që, sipas tij, Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, duke thënë se ajo po vazhdon ende të shkaktojë dëme të pariparueshme.

Sipas Kurtit, shqiptarët në Luginë janë të shtypur, edhe pse janë më shumë se serbët në Kosovë, teksa thekson se kushtet e tyre elementare nuk janë të plotësuara.

“Ekonomia e Kosovës është shkatërruar si pasojë e Serbisë, si nga lufta por edhe mbas luftës”.

“Një pjesë e mirë e shpjegimit për varfërinë tonë sociale, për stagnimin ekonomik janë për shkak të dëmeve të luftës, që ne nuk po i kërkojmë ç’dëmtimin”.

Kurti është shprehur se dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga Serbia tejkalon shumën prej 22 miliardë eurosh.I pari i Vetëvendosjes tha se Serbia ka plaçkitur edhe pensionistët e Kosovës, të cilëve u ka borxh 76 milionë euro, për kontributin e tyre të dhënë para luftës.

Albin Kurti thotë se ka ardhur koha që Serbisë t’i bëhet një listë ku rreshtohen dëmet që ajo ia ka shkaktuar Kosovës.

“Qëndrimi ynë për fqinjësi të mirë me Serbinë, duhet të shndërrohet në listë të kërkesave për të. Hapi i parë i përgatitjeve të Kosovës për bisedime me Serbinë, është shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut paraprak 6-vjeçar, në të cilin janë arritë plotë 33 marrëveshje”.

Ai ka akuzuar kryeparlamentarin për bllokim të raportit mbi arritjet dhe sfidat në zabtimin e marrëveshjeve me Brukselin, si dhe ka thënë se me pajtim politik do të krijonin konsensus mbi Serbinë.

“Kryetari i Kuvendit po e mbanë të bllokuar këtë raport. Pas këtij hapi do të mund të kalonim menjëherë tek hapi i dytë. Përkatësisht tek diskutimi parlamentar dhe pajtimi politik se çka ne duam, se cili është qëllimi ynë në raport me Serbinë”.

“Nuk mund të pajtohemi me Serbinë, siç pretendon Presidenti, nëse nuk pajtohemi me njëri tjetrin mbi raportin me Serbinë”.

“Është dëm i madh për shtetndërtimin, demokracinë, zhvillimin, drejtësinë, që neve në Kosovë na ka hyrë Serbia në mes dhe na ka përçarë”.

“Ne të gjithë, pa dallim partie, konsiderojmë që Serbia i ka shumë borxh Kosovës, andaj le ta konkretizojmë këtë kërkesë tonën për këtë borxhli tonin. Ne ende nuk kemi një dokument zyrtar ku ia kërkojmë borxhin Serbisë”.

Ai ka thënë se një dokument i tillë do të duhej të përmbante, njohje juridike nga ana e Serbisë, si njohje e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, ndërsa ka thënë se tjetër do të ishte zbulimi i fatit të të pagjeturve, dhe kërkim falja, gjykimi i kriminelëve, etj.

“Serbia ta ndryshojë Kushtetutën e vitit 2006, përkatësisht ta heqë fjalinë e dytë, ku thuhet se krahina e Kosovës dhe metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

“Në bazë të 31 mijë e 600 dokumenteve, është dokumentuar vdekja ose zhdukja e në lidhje me luftën e 13,535 njerëzve në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. 10 812 shqiptarë, 2197 serbë dhe 526 boshnjakë, malazëzë e të tjerë”.

“Të përdhunuara rezultojnë 20 mijë e 400 gra shqiptare”.

“Në fillim të qershorit 1999 nga refugjatët e dëbuar prej Kosovë, në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 782 mijë e 100”.

“Gjatë vitit 1998 e 6 muajt e parë të vitit 1999, forcat serbe jugosllave kanë vendosur në Kosovë, afro 50 mijë mina anti-tank dhe anti-njeri”.

“Shqiptarët nuk janë të lirë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe atyre iu shkelen të drejtat”.

“Dështimet e shteit të Kosovës në raport me Serbinë dhe në shtetndërtimin e brendshëm vijnë pikërisht prej harrimit të së kaluarës dhe mos kërkimit të borxhit ndaj Serbisë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme