Kurti: Kosova këtë javë e dorëzon aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Prishtinë | 13 Dhj 2022 | 10:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti gjatë mbledhje së Qeverisë, tha se ka ardhur koha që “statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim”.

“Para një viti kemi bërë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se aplikimi i Kosovës është përgjigje ndaj Samitit të Selanikut të vitit 2003 dhe thirrjes nga Samiti i fundit në Tiranë për anëtarësim të përshpejtuar.

“Para një jave në Samitin e Tiranës në deklaratën e përbashkët, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj aplikimi ynë është përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por edhe për përgjigje direkte ndaj thirrjes në Samitin e Tiranës”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova krahasuar me shtetet tjera kur kanë aplikuar është më e përgatitur. Kurti ka thënë se Kosova natyrshëm e ka vendin në BE.

“Krahasuar me shtetet e tjera kur kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitur. Kosova e ka vendin natyrshëm në BE si vend paqedashës e demokratik”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë:

I nderuari kabinet qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Para një viti, në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Bruksel, bëmë të ditur se, këtë vit do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sot, në mbledhjen e 112 të Qeverisë, po e bëjmë të ditur se aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë.

Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, që po aplikojmë për Bashkimin Evropian, edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për nivelin sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë.

Ka ardhur koha, që statusin potencial për kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. E kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë, të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda Bashkimit Evropian krahas shteteve demokratike, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë e të sundimit të ligjit.

Para një jave, në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Evropian bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

Andaj, aplikimi ynë në Bashkimin Evropian në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës.

Krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitura; me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me Bashkimin Evropian; me institucione të qëndrueshme e me kapacitetet e plota për tu përgjigjur në pyetësorin e Bashkimit Evropian; dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon.

Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik.

Ju faleminderit.

Të ngjashme