LDK: Dekreti i presidentit është kushtetues – nuk ka arsye të pezullohet, kërkesa e VV-së e pabazuar

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 15:15 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se dekretimi i Avdullah Hotit për kryeministër nga presidenti Thaçi është kushtetues dhe nuk ka arsye që të pezullohet.

Mustafa ka thënë se arsyet e parashtruara nga Vetëvendosje për të pezulluar dekretin e Presidentit Thaçi, janë vetëm paragjykuese dhe të pabazuara, raporton Ekonomia Online.

“Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe të pabazuara”, ka thënë Mustafa.

Por, kreu i LDK-së ka thënë se do të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse vendoset për masë të përkohshme nuk do të mbahet seanca e Kuvendit e thirrur për të shtunën.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar. Nuk do ta shkelim në asnjë rast asnjë procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Mustafa, i cili doli pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, tha se me AKR-në e Behgjet Pacollit është arritur marrëveshje në parim që ata të jenë pjesë e koalicionit.

“Do të bisedojmë se çfarë do t’i takojë AKR-së”, tha Mustafa.

I pyetur nga gazetarët, Mustafa tha se edhe marrëveshjen me Listën Serbe do ta publikojnë pa asnjë problem.

Kurse i nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se vetëm e kanë informuar kryesinë e kësaj partie dhe se ende nuk kanë vendosur se cilat ministri do t’i udhëheqë LDK-ja.

Hoti tha se sot ose nesër do ta prezantojnë para medieve dhe qytetarëve kabinetin.

Mandatari për krijimin e Qeverisë tha se do të jenë 16 ministri, e jo 15 siç ishte deri tani.

Të ngjashme