Manja: Kosova e Shqipëria s’kanë më pengesa ligjore për bashkëpunim civil e tregtar, marrëveshjet do të zbatohen

Prishtinë | 11 Tet 2022 | 11:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, deklaroi se nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si për në fushën penale, ashtu edhe në bashkëpunim në fushën civile dhe tregtare.

Siç deklaroi ai, takimi me ministren Albulena Haxhiu është shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët të të dyja ministrive përkatëse për t’i çuar përpara të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në mbledhjet e dy qeverive.

Në konferencë për media pas takimit, ai po ashtu tha se pas datës 30 qershor 2022 nuk ka më asnjë pengese ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar, që d.m.th se shtetasit e Kosovës i kanë të njëjtat të drejta siç i gëzojnë qytetaret e Shqipërisë për të bashkëpunuar lirshëm në fushën civile dhe tregtare.

“Sot kemi rënë dakord që edhe në nivel të kabineteve të të dyja ministrave të kemi persona përgjegjës që do të monitorojnë vetëm bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës, por edhe në nivelin e bashkëpunimit të dy qeverive tona. Jam i bindur që së bashku me Albulenën kemi bërë më të mirën e mundshme që bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive tona sa i përket çështjeve të drejtësisë të jetë në nivele të shkëlqyera”.

Manja po ashtu sqaroi se do të kenë shumë shpejt zbatimin e një marrëveshjeje sa i përket shtetasve kosovarë të dënuar me dënime alternative në Republikën e Shqipërisë.

“Është një numër rreth 284 shtetas të Republikës së Kosovës që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri, por pas zbatimit të marrëveshjes do të jetë Shërbimi Korrektues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri”.

“Kemi rënë dakord, dhe shumë shpejt do ta konkretizojmë edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës”, deklaroi Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.

Edhe Haxhiu tha se do të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve.

“Në takim shprehëm vullnetin për bashkërendim për finalizimin e marrëveshjeve. Bashkëpunimi me Shqipërinë është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. E njoftova ministrin për reforma që kanë nisur për reformat në sistemin e drejtësisë”.

“Adresuam shqetësime dhunën në familje, baza gjinore, dhunën ndaj grave. Ajo çka është e përbashkëta është se kemi vullnetin që të implementojmë marrëveshjet”.

Të ngjashme