Mustafa: Deklaratat se dikush nga Shqipëria ishte kundër UÇK-së nuk u ndihmojnë atyre që janë në Hagë

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Shqipëria ka qenë në krah të Kosovës në rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit.

Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se konstruktimet se dikush nga Shqipëria ka qenë kundër UÇK-së janë të pavërteta dhe nuk iu ndihmojnë ushtarëve të saj që sot janë në Hagë.

“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të ‘zbulojmë’ se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjesëtarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës deklarata të tilla i bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që sipas tij, tash nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Ai tutje ka shtuar se për Gjykatën Speciale ka vendosur Kosova dhe jo figura politike në Shqipëri.

“Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për të vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte. Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike”, ka shkruar ai.

Mustafa ka shtuar se “baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë”, ka thënë ai.

Reagimi i Mustafës vjen pas deklaratave në disa media në Shqipëri, se Lulzim Basha, gjatë kohës sa ishte pjesë e UNMIK-ut u akuzua se punoi për t’u hetuar anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme