Opozita e quan papërgjegjësi të pozitës, mosmbajtjen e seancës

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 12:05 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Opozita në Kuvendin e Kosovës, vonesën e fillimit të seancës së jashtëzakonshme e kanë quajtur papërgjegjësi nga ana e mazhorancës, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, VV-së dhe PSD-së, shprehën qëndrimet e tyre rreth seancës së paraparë të fillonte në orën 10:00.

Shefi i Grupi Parlamentarë të LDK-së, Avdullah Hoti, tha nuk po mundësohet në procedura normale të zhvillohet puna në Kuvend.

“Vlerësojmë që kjo është papërgjegjësi e madhe duke mos mundësuar që në procedura normale të zhvillohet puna në kuvend”, tha Hoti.

Ndërsa, Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentarë të VV-së, ka thënë se në këtë formë si ka shkuar sot seanca dhe me pritjen për fillim të seancës, sipas tij, nuk do të fillojë.

Ndërsa, ka thënë se në këto kushte nuk do të mbajnë seancën.

“Kjo e shpërfaq atë strategjinë e kësaj mazhorancës. Kemi kërkuar të shqyrtohet ky dokumenti 30 faqe për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Për me ka qenë jetike sepse kjo marrëveshje përmban shumë defekte, kemi dashtë përball kryeministrit dje ministrave të hapin këtë çështje. Po qe s’di sa herë mazhoranca po e aplikon strategjinë e bojkotit. Sot ata e treguan fytyrën e vërtetë, opozita erdhi më sallë 1 orë e gjysmë pritëm, pushteti nuk ishte, është papërgjegjësi. Kjo po tregon që pushteti e ka marr drejtimin që të shkelin opozitën në këtë mënyrë, që zëri i opozitës mos të dëgjohet”, u shpreh Konjufca, raporton EO.

Të çuditshme mos mbajtjen e seancës, e quajti shefi i Grupit Parlamentarë të PSD-së, Dardan Sejdiu.

“Është shumë e çuditshme se si ata që e kanë thirr seancën, nuk janë në seancë”, tha Sejdiu.

Përndryshe, ka kaluar më shumë se dy orë dhe ende nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës e paraparë në orën 10, lidhur me dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës si “Draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, raporton Ekonomia Online.

Aktualisht në sallë nuk ka mbetur më asnjë deputet, teksa Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se seanca do të fillojë në orën 12:15.

Të ngjashme