PSD-ja respekton vendimin e Kushtetueses, tërhiqet nga Ekipi Negociator

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 16:13 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate tërhiqet nga Ekipi Negociator, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli Ligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i kësaj partie, Visari Ymeri tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese PSD-ja me anëtarët e saj nga sot do pushojnë nga këto kompetenca.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e delegacionit ne kemi marrë vendim që të dalim nga ky delegacion shtetëror dhe që nga sot do pushojmë së shërbyeri nga kjo kompetencë. Gjykata i ka kontestuar të gjitha kompetencat e delegacionit shtetëror”.

“PSD prej që ka marrë iniciativën ka insistuar  që dialogu me Serbinë që të drejtohet nga delegacioni që i ka të gjitha partitë politike. Dialogu ka pasur legjitimitet dhe transparencë. Me aktgjykimin e kushtetueses dialogu me Serbinë nuk mund ta drejtojnë kuvendi por kryeministri dhe presidenti.

“Prej sot për PSD-ja nuk është pjesë e angazhimit tonë politik dhe tentimin e saj që ta kthej këtë dialog në binarët e transparencës do e vazhdojmë”.

Edhe përmes një postimi në rrjetin social Facebook, bashkëkryesuesi i këtij delegacioni Shpend Ahmeti, tha se ka thënë se Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij.

Ahmeti ka thënë se nesër do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Në një komunikatë për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”.

Gjykata ka konstatuar se “si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse, siç thuhet, i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti.

Të ngjashme