Sa vota ka Vetëvendosje dhe sa i duhen që mocioni të kalojë në Kuvend

Prishtinë | 06 Gus 2020 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosjes të enjten  ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

Shefi i grupit parlamentar i kësaj partie Rexhep Selimi, në një konferencë për medie duke përmendur arsyet e kësaj nisme, ka thënë se për këtë kanë njoftuar edhe grupin parlamentar të PDK-së.

Por, sa vota i duhet Vetëvendosjes për të siguruar që fillimisht mocioni të procedohet për rend dite në Kuvendin e Kosovës?

Sipas nenit 100, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, duhen firmat e 1\3 të të gjithë deputetëve që mocioni të shkojë për procedurë të mëtutjeshme në Kuvend, apo 40 nënshkrime, raporton Ekonomia Online.

Vetëvendosjes, që është grupi më i madh parlamentar në Kuvend me 31 deputetë, i duhen të paktën edhe 9 nënshkrime të deputetëve të tjerë që mocioni të procedohet.

Ndërsa, për kalimin e mocionit në seancë plenare, pra rrëzimin e Qeverisë, duhen së paku 61 vota të deputetëve.

Kujtojmë se tradicionalisht minoritetet jo serbe që janë pjesë e koalicioneve qeverisëse kanë përkrahur nisma të tilla, dhe Vetëvendosjes përveç votave të tyre, i duhet për kalimin e mocionit edhe mbështetja e PDK-së.

Kujtojmë se PDK, kishte përkrahur mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti, por që nuk kishte pranuar të jetë pjesë e Qeverisë Hoti.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, vije në kohën kur partnerët e koalicionit qeverisës LDK-AAK-NISMA, kanë shfaqur përqarjet që janë brenda tyre.

Të mërkurën zyrtarë të këtyre partive kanë dal haptas me kërcënime për prishje të koalicionit./EO

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme